Nënpresidenti Biden përfundon vizitën në Turqi

Bota

Nënpresidenti Biden përfundon vizitën në Turqi

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 22:36

Nënpresidenti amerikan Joe Biden sot i jep fund misionit të tij tre ditor diplomatik në Turqi, pa ndonjë njoftim për angazhim nga udhëheqësit e këtij vendi për të mbështetur një koalicion të udhëhequr nga amerikanët në përpjekjet për të mundur militantët e Shtetit Islamik.

Nënpresidenti Biden tha dje se ai dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kanë biseduar mbi shkatërrimin e bazave të militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Zoti Biden tha se ata kanë diskutuar edhe mbi përpjekjet e presidentit sirian Bashar al-Asad për të qëndruar në pushtet.

"Ne diskutuam në thellësi mbi një gamë të gjërë çështjesh dhe alternativat që kemi për t’i trajtuar ato. Jo vetëm për shkatërrimin e strehëve të sigurta të ISIL-it, zbrapsjen dhe mundjen e tyre, por edhe për forcimin e opozitës siriane dhe përpjekjet për një tranzicion politik pa regjimin e Asadit".

Në të kaluarën, zoti Erdogan ka insistuar që nëse Shtetet e Bashkuara duan ndihmën turke, ato duhet të fokusohen më pak në luftën ndaj ekstremistëve dhe më shumë në rrëzimin e regjimit të Asadit.

Dje, ai tha se Turqia do të vazhdojë të punojë nga afër me Shtetet e Bashkuara, dhe e quajti “domethënëse” vizitën e nënpresidentit Biden.

Nënpresidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Turqinë për t’u përballur me krizën humanitare të krijuar nga 1.6 milion refugjatë sirianë që kanë vërshuar në kampet turke të refugjatëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat