Mijëra demonstrues, kërkojnë gjetjen e studentëve të zhdukur në Meksikë

Bota

Mijëra demonstrues, kërkojnë gjetjen e studentëve të zhdukur në Meksikë

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:12

Dhjetëra mijëra demonstrues kanë marshuar në kryeqytetin e Meksikës, duke kërkuar nga autoritetet e vendit që të gjejnë 43 studentët e zhdukur.

Demonstrata e 20 nëntorit, është mbajtur të njëjtën ditë kur normalisht festohet revolucioni i Meksikës i viteve 1910-1917.

Por autoritetet e vendit kanë anuluar manifestimet tradicionale për këtë ditë, e cila u zëvendësua me protestuesit të cilët mbanin flamuj të zi, në shenjë zie për të zhdukurit.

Demonstruesit thanë se i tërë vendi është i zemëruar, jo vetëm me zhdukjen e 43 studentëve, por edhe ndaj vendit të zhytur në korrupsion dhe i mbushur me plotë grupe kriminale.

Studentët e një shkolle të lartë për mësues janë zhdukur pasi ata më 26 shtator u përleshën me policinë në qytetin Iguala, që gjendet në shtetin Guerro, të trazuar nga prania e shumë bandave.

Para dy jave, është lajmëruar për gjetjen e një varreze masive me shumë mbetje të djegura njerëzore.

Disa anëtarë të dyshuar të një bande në Meksikë kanë thënë se kanë vrarë 43 studentët e zhdukur dhe se kanë djegur eshtrat e tyre.

Por, prokurori i përgjithshëm i Meksikës, Murillo Karam, ka thënë se do të jetë e vështirë të identifikohen mbetjet e djegura dhe se autoritetet do të vazhdojnë t’i konsiderojnë studentët të zhdukur derisa testet e ADN-së të konfirmojnë identitetin.

Ndryshe, demonstrata e 20 nëntorit ishte kryesisht paqësore, në krahasim me protestat e fundit në shtetin Guerro, të cilat kanë përfunduar me djegien e ndërtesave të qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat