Policet femra në Indonezi duhet të kalojnë testin e virgjërisë!

Bota

Policet femra në Indonezi duhet të kalojnë testin e virgjërisë!

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 09:42

Policia indoneziane vazhdon të testojë rekrutet femra që duan të bëhen pjesë e forcave të rendit nëse janë të virgjëra apo jo. Pretendimi ngrihet nga një raport i organizatës “Human Rights Watch”.
Sipas raportimit, pjesë e testimeve mjekësore që femrat police duhet të kalojnë është edhe prova se ato nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale, edhe pse ky test nuk është i përfshirë në protokoll. Si pasojë, të gjitha femrat e martuara nuk lejohen që të aplikojnë për t’u futur në polici.

Por, një zëdhënës i policisë indoneziane ka bërë të ditur se këtë test duhet ta kalojnë edhe meshkujt, e jo vetëm femrat.

“Testi mjekësor ka dy objektiva: së pari që të sigurohemi se të gjithë kandidatët gëzojnë shëndet të plotë për të kryer detyrën dhe së dyti që të sigurohemi se nuk kanë ndonjë sëmundje ngjitëse që do t’i pengonte. Testi i virgjërisë është pjesë e testeve mjeksore që duhen kaluar”, u shpreh zëdhënësi, Roni Sompi.

Megithatë, femrat që i janë nënshtruar testit e kanë përshkruar përvojën si traumatike dhe “Human Rights Watch” i ka kërkuar autoriteteve që ta ndërpresin këtë praktikë që dhunon të drejtën e femrave.

Kritikat ndaj Indonezisë vinë një ditë pasi në kryeqytetin Xhakarta u zgjodh si Guvernator një jo musliman për herë të parë pas 50 vitesh.

Pavarësisht protestave të fanatikëve fetarë në shtetin me numrin më të madh të popullsisë myslimane, Basuki Purnama u betua si Guvernator i qytetit, ndërkohë që jashtë godinës forca të shumta policie ishin vendosur për të ruajtur sigurinë.

Purnama është i pari Guvernator i Xhakartës me etni kineze dhe vlerësohet nga autoritetet e vendit, sidomos nga Presidenti Uidodo.

Dekadën e fundit, në vendin me 240 milionë banorë, ku 90% janë myslimanë sunitë, ka pasur sulme ndaj të krishterëve, shiitëve dhe sekteve të tjera jo sunite, por Presidenti është zotuar se do t’i mbrojë minoritetet fetare në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat