Biden arrin në Kiev, pritet t'i ofrojë Ukrainës ndihmë për të luftuar pro-rusët

Bota

Biden arrin në Kiev, pritet t'i ofrojë Ukrainës ndihmë për të luftuar pro-rusët

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 23:34

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka arritur të enjten në Kiev, vizita e të cilit ka rritur shpresat e qeverisë se ai mund t’i ofrojë Ukrainës ndihmë për ushtrinë e vendit.

Reuters, ka cituar një zyrtar amerikan, i cili ka thënë se Biden do t'i ofrojë Kievit mjete ushtarake, për të ndihmuar forcat ukrainase në luftën kundër separatistëve pro-rusë.

Por, Rusia ka paralajmëruar SHBA-të më 20 nëntor, që të mos ndihmojnë forcat ukrainase me armë.

Rusia, ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krizën në Ukrainë, duke thënë se konflikti atje është produkt i 25 vjetëve të zgjerimit egoist perëndimor.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duke i'u adresuar Dhomës së Ulët të Parlamentit, një ditë më parë, ka thënë se Perëndimi “duhet të mbështesë procesin e marrëveshjeve reciprokisht të pranueshme, në vend se të mbështesë palën luftuese në Kiev, duke mbyllur sytë ndaj shkeljeve të egra të të drejtave të njeriut, mungesës së ligjit dhe krimeve të luftës”.

Ndryshe, Kombet e Bashkuara kanë njoftuar të enjten se luftimet në lindje të Ukrainës kanë vrarë rreth 13 njerëz në ditë prejse armëpushimi midis forcave ukrainase dhe rebelëve pro-rusë ka hyrë në fuqi më 5 shtator.

Agjencia për të drejta e OKB-së ka thënë se së paku 4,317 njerëz janë vrarë dhe 9,921 të tjerë janë plagosur prejse ka nisur konflikti në Ukrainë, në muajin prill.

Po sipas kësaj agjencie, 957 vdekje janë regjistruar midis 5 shtatorit dhe 18 nëntorit, çfarë do të thotë se ka pasur shkelje të përditshme të armëpushimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat