Iran, shtyhet afati për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për programin bërthamor

Bota

Iran, shtyhet afati për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për programin bërthamor

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 23:32

Afati për të zgjidhur mosmarrëveshjet 12-vjeçare mbi programin bërthamor të Iranit mund të shtyhet më tej, nga e hëna deri në marsin e vitit të ardhshëm, për shkak të ngërçeve të thella mes Teheranit dhe fuqive perëndimore, bënë të ditur burime shumë pranë bisedimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duhej të takohej me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, orët e mbrëmjes së të enjtes në Vjenë, së bashku me të dërguarën e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin.

Uashingtoni dhe aleatët e tij kishin shpresuar që bisedimet e Vjenës, këtë javë, do të përbënin kulmin e muajve të vështirë të diplomacisë mes Iranit dhe SHBA-ve, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës, duke arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Synimi ishte për të hequr sanksionet ndaj Teheranit, në këmbim të kufizimeve të programit bërthamor të tij, por bisedimet kanë ngecur prej një kohe të gjatë. Periudha e heqjes së sanksioneve dhe kufijtë e pasurimit të uraniumit të Iranit në të ardhmen, janë disa nga pikat kyç që përplasin dy blloqet në fjalë.

“Kemi ende disa pika të ndryshme qëndrimi”, tha ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, në një konferencë të përbashkët me John Kerry, teksa kryediplomati amerikan e takoi atë francez në Paris, në rrugë e sipër për në Vjenë.

Shefi i OKB-së për çështjet bërthamore, Yukiya Amano, theksoi të enjten një tjetër pengesë: Irani duhet ende të shpjegojë kërkimet e dyshuara për bombën bërthamore ndaj agjencisë bërthamore të OKB-së (IAEA), një prej kushteve të 6 fuqive botërore për heqjen e sanksioneve.

Raundi i fundit i bisedimeve mes tyre ka nisur të martën dhe pritet të zgjasë deri në afatin e vetëshpallur si përfundimtar të 24 nëntorit, për një marrëveshje përfundimtare, por zor se mund të arrihet kjo.

“Një lloj marrëveshjeje e përkohshme mund të pritet në këtë pikë, ose ndoshta një marrëveshje kuadër në më të mirën e mundshme deri të hënën, por që sërish do të duhet të rishikohet gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm”, tha një diplomat perëndimor për “Reuters” në kushtet e anonimitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat