Bashkimi i Koreve kushton të paktën 500 miliardë dollarë

Bota

Bashkimi i Koreve kushton të paktën 500 miliardë dollarë

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 12:57

Sipas vlerësimit të rregullatorit financiar koreanojugor bashkimi i dy Koreve do të kushtojë minimumi 500 miliardë dollarë duke pasur parasysh dallimin e konsiderueshëm të nivelit të jetesës së dy vendeve.
Të paktën 20 vjet janë të nevojshme për të rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për banor të Koresë së Veriut nga 1 251 dollarë që është aktualisht në 10 mijë dollarë, niveli i PBB-së për banor i Tunizisë apo Kubas, sipas presidentit të Komisionit të Shërbimeve Financiare (FSC), Shin Je-Yoon.

PBB-ja për banor e Koresë së Jugut ishte 26 mijë dollarë për banor në vitin 2013, sipas Bankës Botërore, dhe PBB-ja nominale është 40 herë ajo e Koresë së Veriut, sipas FSC-së, ndërkohë që mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore dallimi ishte vetëm 10 herë në momentin e ribashkimit në vitin 1990.

Financimi i ribashkimit korean do të garantohet nga institucionet financiare publike të Jugut, nga bankat tregtare, nga organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore dhe taksat e nxjerra nga projektet për zhvillim në Veri, theksoi Shin Je Yoon gjatë një seminari të zhvilluar sot në Seul.

I mbrojtur nga autoritetet e të dy vendeve si një qëllim legjitim për t’u arritur, ribashkimi vazhdon të mbetet një prespektivë e largët.
Sipas një hetimi të publikuar këtë javë nga Ministria koreanojugore e Bashkimit, e ngarkuar me marrëdhëniet me Korenë e Veriut, tregoi se 70 për qind e koreanojugorëve mbështesin idenë e një gadishulli të bashkuar dhe vetëm 50 për qind janë gati të bëjnë sakrifica financiare.

Dy Koretë i kanë armët të drejtuara nga njëra tjetra që prej përfundimit të luftës (1950-53) dhe Koreja e Veriut, shumë e izoluar nga skena diplomatike, vazhdon zhvillimin e teknologjisë së saj bërthamore pavarësisht sanksioneve vendosura nga Këshilli i sigurimit në OKB.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat