Moska dhe Kievi arrijnë marrëveshje për gazin

Bota

Moska dhe Kievi arrijnë marrëveshje për gazin

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 08:23

Moska dhe Kievi kanë nënshkruar një marrëveshje historike, e cila garanton rrjedhjen e gazit rus në Ukrainë gjatë këtij dimri.

Marrëveshja, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe vlen deri në mars të vitit 2015, është nënshkruar në Bruksel nga ministrat e energjisë të të dyja vendeve dhe nga komisionari për energji i BE-së, Guenther Oettinger.

Oettinger ka thënë se në bazë të marrëveshjes, Ukraina do t’i paguajë Rusisë 1.45 miliard dollarë borxhe brenda ditësh, në mënyrë që Moska të rinisë furnizimet.

Ai ka thënë se Rusia, më pas, do ta ulë çmimin e gazit për Ukrainën për rreth 100 dollarë, përkatësisht në 385 dollarë për 1,000 metra kub.

Kievi pastaj do të ketë qasje në furnizimet me gaz të Rusisë, në këmbim të parapagimit, ka sqaruar Oettinger.

Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili ka mbikëqyrur nënshkrimin, e ka vlerësuar lart marrëveshjen.

“Tani nuk ka arsye që njerëzit në Evropë të qëndrojnë në të ftohtë këtë dimër”, ka thënë Barroso.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat