Avioni spiun rus zbulohet nga NATO mbi Balltik

Bota

Avioni spiun rus zbulohet nga NATO mbi Balltik

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 20:01

Një avion spiun rus është zbuluar nga avionët e NATO-s duke fluturuar mbi detin Balltik. Lajmin e kanë raportuar burime nga Aleanca e Atlantikut Verior, duke konfirmuar kështu rritjen e tensioneve në rajon.
Estonia ka thërritur për shpjegime Ambasadorin rus të mërkurën në mbrëmje, pasi avioni rus i modelit Iljushin-20 kishte hyrë në hapësirën ajrore të saj.
Reagimi i Rusisë ishte se avioni po kryente stërvitje dhe nuk kishte hyrë në hapësirën estoneze. Kohët e fundit Rusia është akuzuar nga disa vende për veprime të ngjashme.
Javën e kaluar, Suedia ka nisur kërkimet për një nëndetëse të supozuar ruse që ishte parë në arqipelagun e Stokholmit, rreth 48 kilometra larg kryeqytetit.
Ndërsa muajin e kaluar, ishte sërish Estonia që akuzonte rusët se kishin rrëmbyer një oficer doganor në kufirin mes dy vendeve.
NATO raportoi se avioni ishte parë të nisej nga enklava balltike e Rusisë, Kaliningrad, që të martën dhe ishte kapur fillimisht nga avionët danezë para se të ndryshonte drejtim për në Suedi.
Pasi është pikasur edhe nga avionët suedezë, ai ka hyrë në hapësirën estoneze. Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes këmbënguli në emër të qeverisë se avioni i ka respektuar të gjitha rregullat ndërkombëtare dhe ushtarake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat