Vdes në aksident ajror në Moskë, bosi i "Total"

Bota

Vdes në aksident ajror në Moskë, bosi i "Total"

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 23:46

Shefi ekzekutiv i gjigantit të naftës “Total” Kristof de Marzheri, humbi jetën mbrëmjen e së hënës kur avioni me të cilin po udhëtonte u përplas me një makinë për pastrimin e borës në aeroportin ndërkombëtar të Moskës, Vnukovo.
Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të aeroportit. Avioni ishte drejtuar për në Paris pasi 63-vjeçari De Marzheri kishte marrë pjesë në një takim në Moskë me qeverinë ruse për investimet e huaja.
Bashkë me të, humbën jetën edhe tre francezë të tjerë, pjesëtarë të ekuipazhit.
Sipas autoriteteve ruse që po hetojnë incidentin, shoferi i makinës së dëborës ishte i dehur, por përplasja ka ndodhur edhe për shkak të pilotimit të gabuar të avionit.
“Total” është një prej investitorëve më të mëdhenj të huaj në Rusi, por dukej se gjërat po ndryshonin për keq që pas rrëzimit të avionit malajzian më 17 korrik në territorin ukrainas nga rebelët separatistë pro-rusë.
Vetë De Marzheri ishte një prej mbështetësve më të mëdhenj të politikave ruse për energjinë që pas fillimit të konfliktit me Ukrainën.
Me mustaqet e tij karakteristike dhe sjelljen imponuese, ai ishte një prej figurave më të njohura ndër drejtuesit e kompanive të naftës në botë.
“Total” është kompania e katërt më e madhe në Europën perëndimore për përpunimin dhe tregtimin e naftës, pas Exxon, Royal Dutch Shell dhe Chevron. De Marzheri drejtonte kompaninë franceze që prej vitit 2007.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat