Ukraina dhe Rusia dakordohen për gazin

Bota

Ukraina dhe Rusia dakordohen për gazin

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 08:27

Komisionari për Çështje të Energjisë i Bashkimit Evropian, Guenther Oettinger, ka thënë se është arritur përparim i rëndësishëm në bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë për furnizimet me gaz.

Oetinger ka njoftuar se Ukraina planifikon të blejë rreth 4 miliardë metra kub gaz nga Rusia para fundit të këtij viti.

Ai po ashtu ka thënë se Ukraina do t’i paguajë Rusisë 1.4 miliard dollarë borxhe për furnizimet me gaz para fundit të tetorit dhe 1.6 miliard dollarë të tjera para fundit të këtij viti.

Kreu i delegacionit rus në bisedime, ministri i Energjisë, Aleksandr Novak, ka thënë se çmimi i gazit për Ukrainën do të jetë 385 dollarë për 1,000 metra kub, që do të thotë 100 dollarë më pak seç ka kërkuar Rusia vetëm disa javë më parë.

Novak ka thënë se ky çmim do të jetë në fuqi nga tetori 2014 deri në mars 2015.

Oettinger ka bërë të ditur se takimi i radhës midis palëve do të mbahet më 29 tetor në Bruksel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat