Çështja Kobani: SHBA mirëpret ndryshimin e politikës turke

Bota

Çështja Kobani: SHBA mirëpret ndryshimin e politikës turke

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 13:55

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar vendimin e Turqisë për të lejuar tranzitin e luftëtarëve kurdë të Irakut në Siri. Ata do të ndihmojnë kurdët lokalë në qytetin Kobani, i cili ndodhet në kufi me Turqinë dhe për më shumë se një muaj është i rrethuar nga militantët e Shtetit Islamik.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka njoftuar për këtë ndryshim të politikës të hënën, por nuk ka dhënë më shumë detaje, duke thënë se bisedimet për çështjen janë duke vazhduar.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se Uashingtoni i mirëpret këto deklarata nga Ministria e Jashtme turke.

Njoftimi i Turqisë ka ardhur papritur, pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan, më 19 tetor, ka hedhur poshtë mundësinë e armatosjes së kurdëve në Kobani dhe ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të ndjekin shembullin.

Erdogan ka thënë se Unioni Demokratik në Siri, parti kurde, është “organizatë terroriste”, ngjashëm si grupi i rebelëve kurdë në Turqi, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

Megjithatë, ushtria e Shteteve të Bashkuara, më 19 tetor, ka furnizuar nga ajri luftëtarët kurdë në Kobani. Furnizimet kanë përfshirë armë, municion dhe pajisje mjekësore.

Brenda qytetit Kobani, ndërkohë, janë raportuar luftime të reja, pas dy ditësh qetësi relative.

Aktivistët thonë se përleshjet kanë shpërthyer pasi militantët e Shtetit Islamik kanë nisur ofensivë, nga të gjitha frontet, kundër luftëtarëve kurdë.

Fillimisht janë dëgjuar shpërthime të mëdha, të cilat më pas janë shoqëruar me të shtëna intensive me armë zjarri.

Gjenerali Jabbar Yawar, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë Peshmerga (brigadës luftarake) në rajonin kurd të Irakut, i ka thënë Radios Iraku i Lirë se ministria “po përgatitet të dërgojë luftëtarë dhe armë të rënda në Kobani përmes Turqisë”.

“Me vullnetin e Zotit, po përgatitemi të dërgojmë armë të rënda dhe forca kurde në Kobani, përmes Turqisë, për të ndihmuar vëllezërit tanë dhe heronjtë që të mbrojnë qytetin, i cili është sulmuar dhe rrethuar nga tre fronte të ndryshme”, ka thënë Yawar.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka thënë se forcat amerikane kanë kryer mbi 135 sulme ajrore kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik në Kobani, qysh në fillim të tetorit.

Por, pavarësisht intensifikimit të sulmeve në këtë qytet dhe furnizimeve nga ajri, ushtria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se prioritet i saj i lartë mbetet Iraku, ku militantët e Shtetit Islamik kanë rrëmbyer pjesë të mëdha të territorit dhe kanë avancuar drejt Bagdadit.

Sulmet ajrore në Irak po kryhen nga SHBA-ja, në koordinim me forcat irakiane, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, ka përsëritur se nuk do të lejojë këmbësori të huaj në terren, për të ndihmuar forcat irakiane që të rikthejnë zonat e pushtuara nga militantët xhihadistë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në anën tjetër, u ka bërë thirrje vendeve aziatike që të shtojnë përpjekjet e tyre për të luftuar ekstremistët.

Duke folur të hënën në Xhakartë, ai ka thënë se është e rëndësishme që të parandalohet rekrutimi islamik në Azinë juglindore, sidomos në Indonezi dhe Malajzi.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës në SHBA, CIA, ka bërë të ditur se Shteti Islamik mund të ketë rreth 31,000 luftëtarë në Irak dhe Siri. Ai njihet për taktikat e tij brutale, si vrasje me prerje koke të ushtarëve, gazetarëve dhe punëtorëve të ndihmës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat