“The Economist”: Serbia po shkon drejt një regjimi autokrat

Bota

“The Economist”: Serbia po shkon drejt një regjimi autokrat

Më: 18 tetor 2014 Në ora: 22:46

Nën Kryeministrin Aleksandar Vucic Serbia ka ngecur mes ambicieve europiane dhe partnerit historik Rusisë, dhe vizita e presidentit Putin nxjerr në pah dilemën e madhe serbe.

Objektivi strategjik i Beogradit është hyrja në Bashkimin Europian, por nga ana tjetër, jo vetëm që refuzon t’u bashkohet sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj aleatit të madh tradicional, por shkon edhe më tej duke organizuar një paradë gjigante me avionë rusë që fluturojnë në qiellin e Beogradit në përkujtim të 70-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit serb.

Dhuna ndaj shqiptarëve në stadiumin e Beogradit dhe vizita e Putinit dy ditë më vonë nxorri akoma më shumë në pah dilemën e madhe serbe. “The Economist” analizon dy ngjarjet e javës që po lëmë pas dhe drejtuesit e rinj të Serbisë.

Trajtimi i medias nën qeverinë e Vucic ka një ngjashmëri të madhe me atë të Putinit në Rusi. Gazetarët dhe reporterët e pavarur ngrenë me frikë telefonin, shumë media aplikojnë një autoçensurë dhe programet investigative janë drejt mbylljes.

Alarmi është lëshuar nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur serbë që thotë se fjala e lirë dhe kritika ndaj qeverisë “është duke vdekur në Serbi dhe gazetaria investigative drejt zhdukjes”.

Vucic erdhi në pushtet pas fitores së zgjedhjeve në muajin mars dhe që prej ditës së parë në detyrë ka vendosur ngadalë një pushtet të fortë dhe kontroll të rreptë, jo vetëm ndaj vartësve të tij, por edhe ndaj institucioneve të pavarura.

Megjithatë duket se ka një pëlqim të serbëve ndaj regjimeve totalitare. Ndonëse është herët për të folur për një regjim të tillë, sondazhet e fundit thonë se gjysma e serbëve do të votonin sërish partinë e kryeministrit, pavarësisht ekonomisë në recesion dhe planet për shkurtime të investimeve dhe punonjësve në sektorin publik.

Përvec pushtetit dhe marrëdhënieve të shkëlqyera me Rusinë, Vucic duhet të mbajë të lumtur Bashkimin Europian duke “promovuar stabilitetin rajonal”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të vizitojë Beogradin javën e ardhshme, megjithëse pas incidentit të ndeshjes kjo vizitë është në pikëpyetje të madhe.

Brukseli përshëndeti paradën e homoseksualëve dhe zhvillimin e saj pa incidente të mëdha, megjithatë në progres-raportin e publikuar disa ditë më parë shprehet shqetësimi për lirinë e medias dhe pyetja që shtrojnë sot europianët nuk ka të bëjë me “a është Vucic një nacionalist”, por a është ai një demokrat?”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat