Çfarë metoda po përdor ISIS për t'ju shmangur sulmeve ajrore

Bota

Çfarë metoda po përdor ISIS për t'ju shmangur sulmeve ajrore

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 11:29

Janë bërë gati dy muaj që kur SHBA-të filluan sulmet ajrore kundër Shtetit islamik (IS) në veri të Irakut, por ka shenja se militantët islamikë janë përshtatur me këtë realitet të ri.
Dëshmitarët dhe burimet fisnore në zonat e kontrolluara nga IS kanë raportuar një rënie të numrit të pikave të kontrollit të militantëve. Gjithashtu raportohet se militantët janë duke përdorur më pak telefonat celularë dhe ky veprim me sa duket po bëhet që ata t’i shmangen gjetjes së pozicioneve të tyre, të cilat pastaj mund të shndërrohen në shënjestër të sulmeve ajrore, raporton BBC.

Militantët e IS-it gjithashtu janë parë se kanë filluar të përdorin motoçikleta si mjet transporti në vend të automjeteve të blinduara që përdornin më përpara. Gjithashtu raportohet se flamuri i IS-it, i cili është me ngjyrë të zezë po vendoset qëllimisht nëpër shtëpi private të civilëve, me qëllim që të ngatërrojë SHBA-të e cila nga ajri po mundohet që të gjurmojë se ku janë caqet e IS-it dhe t’i bombardojë ato.

Në ndërtesat e shumta që tashmë janë bombarduar, raportohet se militantët janë evakuuar paraprakisht para bombardimeve, transmeton lajmi.net. Një sheik i një fisi në një fshat në jug të Kirkukut tha se luftëtarët e IS-it “kanë braktisur selinë e tyre kryesore në këtë fshat”, pasi që ata kishin pasur informacione se bombardimet ajrore mund të kishin për cak ata.

“Ata morën të gjitha mobiliet e tyre, automjetet dhe armët. Më pas ata vendosën bomba përgjatë rrugës dhe pastaj shkatërruan selinë e tyre”, tha ky sheik, i cili preferoi që të mbetet anonim.

Militantët e IS njihen si persona që lëvizin nga një vend në vendin tjetër lehtësisht dhe kjo gjë ua mundëson atyre që të tërhiqen dhe të rigrupohen shpejt, më shpejt se sa trupat e një ushtrie të rregullt.

“Kjo është një formulë e mirë dhe e testuar tashmë”, tha eksperti i mbrojtjes dhe sigurisë, Paul Gibson, i cili tashmë është pensionist ushtarak britanik.

“Kur militantët filluan të përballen me sulmet ajrore, gjëja e parë që ata do të bëjnë është të reduktojnë pozicionet që koalicioni kundër tyre i ka shënjestruar për t’i bombarduar. Ata do të shpërndahen dhe do të reduktojnë komunikimet e tyre përmes celularit dhe radios, në mënyrë që t’i shmangen zbulimit”.

Shumë luftëtarë të huaj u janë bashkuar luftëtarëve të IS-it dhe ata gjithashtu sjellin me vete përvojën e mbijetesës në konfliktet të tjera, të tilla si Afganistani dhe Çeçenia", dhe në fund ai.

“Unë mendoj se ata do të mësohen shumë shpejt në terren dhe do të mësohen po ashtu nga xhihadistët e tjerë se si të përshtaten me kërcënimin e ri, atë të sulmeve ajrore. Nëse ju flisni në telefon celular, ju menjëherë do të bombardohemi”, thotë Gibson.

Kufizimet e reja të IS-it përfshijnë edhe ndalimin e shpërndarjeve të fotografive dhe videove “gjatë betejave”. Kjo është thënë edhe përmes një memorandumi që ka për qëllim parandalimin e gabimeve të “luftëtarëve të padisiplinuar”.

Ky memorandum është botuar nga Komiteti i Përgjithshëm i "Shtetit Islamik" dhe ka filluar të qarkullojë nëpër mediat sociale, përkatësisht në Twitter, në kuadër të së ashtuquajturës “Fushata sekrete mediale”.

Në memorandum thuhet se xhirimet duhet të jenë të kufizuara dhe të certifikuara “nga personeli i mediave”, i cili është përgjegjës dhe aty paralajmërohet se “shkelësit”, pra ata që xhirojnë gjatë betejave, do të “ndiqen penalisht”.

Ndërkaq, një llogari e re e hapur në Twitter, e cila besohet se është nën administrimin e IS-it, thuhet: “Vepro në heshtje dhe mbrojë vëllezërit e tu muxhahidinë”. Ndërkaq, llogari të tjera që janë hapur kanë për qëllim që t’ua shpjegojnë simpatizantëve të tjerë se cilat janë rregullat e reja të IS-it.

“Mos i dëmtoni vëllazërit tonë, duke postuar lajme për lëvizjet e tyre”, thuhej në një status. Ndërkaq një tjetër status thoshte: “Është në rregull që të publikohen fotografi pas betejave ose fotografi ku shihen duke festuar pas betejave që tashmë janë të konfirmuara”. E një tjetër status thotë: “Sekreti nuk është përtaci”.

Luftëtarët e IS-it ka të ngjarë se po synojnë që të kthejnë popullatën lokale kundër përpjekjeve të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, thotë Gibson.

“Ata po kërkojnë që të fshihen në mes të popullatës. Ata do të fillojnë të përdorin ndërtesa publike si spitalet, xhamitë dhe objekte të tjera, të cilat, nëse bombardohen, do të pësojnë dëme të mëdha”.

Imazhet e civilëve të bombarduar në Irak janë duke u përdorur si mjet rekrutimi. Dhe kjo po bëhet përmes faqeve në internet dhe mediave sociale të administruara nga xhihadistët.

Në kontekstin aktual, me sulmet ajrore, të justifikuara pjesërisht për arsye humanitare, imazhe të tilla kanë të ngjarë të kenë një ndikim të keq në civilë, të cilët mund të krijojnë imazh negativ për koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të, të cilët po bombardojnë nga ajri caqet e IS-it në Irak dhe Siri, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat