Ushtria amerikane publikon pamje të sulmeve ajrore kundër ISIS'it (Foto + Video)

Bota

Ushtria amerikane publikon pamje të sulmeve ajrore kundër ISIS'it (Foto + Video)

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 08:19

(E plotësuar) - Presidenti amerikan Barak Obama tha se pjesëmarrja e pesë vendeve arabe në sulmet ajrore kundër militantëve në Siri i tregon botës se kjo nuk është vetëm luftë e Amerikës. Ai i bëri komentet sot, pas fillimit të një fushate të zgjeruar ajrore për të shkatërruar Shtetin Islamik dhe pjestarë të al-Kaidës që tani e quajnë veten grupi Khorasan në Siri.

Presidenti Obama tha se lufta e përbashkët kundër Shtetit Islamik do të kërkojë kohë, por është me rëndësi jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, Lindjes së Mesme dhe botës.

Zoti Obama i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për në Nju Jork për takime në Kombet e Bashkuara.

"Duhet të jetë e qartë për të gjithë ata që komplotojnë kundër Amerikës dhe përpiqen t'u bëjnë keq amerikanëve se ne nuk do të tolerojmë asnjë strehë të sigurt për terroristët që kërcënojnë popullin tonë," tha Presidenti Obama.

Ai tha se SHBA janë krenare për faktin se qëndrojnë krah për krah Bahreinit, Katarit, Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në kryerjen e sulmeve ajrore.

Zoti Obama tha se bombardimet kishin në shënjestër ata që ai i quajti anëtarë "të sprovuar" të al-Kaidës, të njohur si Grupi Khorasan, të cilët kishin planifikuar një sulm në SHBA.

Një grup monitorimi tha se 120 militantë islamikë u vranë në Siri në raundin e parë të sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut në Londër, tha se të paktën 300 vetë, duke përfshirë anëtarë të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës, u vranë ose u plagosën nga sulmet.

Fushata ajrore zgjeron përpjekjet e koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të shkatërruar dy grupet. Bombardimet e mëparshme kishin si objektiv pozicionet e militantëve në Irak.

Sulmet dëmtuan ose shkatërruan komplekset e trajnimit, shtabin e militantëve dhe një qendër financiare, duke përfshirë edhe bazën e Shtetit Islamik në qytetin Raka.

Pentagoni thotë se në sulme morën pjesë avionë luftarakë, bombardues dhe anije me raketa kruz.

Ministria e jashtme e Sirisë tha se Shtetet e Bashkuara informuan ambasadorin e saj në Kombet e Bashkuara për sulmet përpara se ato të fillonin.

Udhëheqësit kurdë, refugjatët sirianë, dhe kreu i koalicionit kryesor opozitar sirian i mbështetur nga perëndimi i përshëndetën sulmet ajrore. Javën e kaluar, Shteti Islamik mori zona të tjera kurde në veri të Sirisë, përgjatë kufirit me Turqinë, duke bërë që më shumë se 130.000 njerëz të kalonin në Turqi për t'u shpëtuar militantëve.

Në një deklaratë të Komandës Qendrore amerikane thuhet se vetëm forcat amerikane kryen tetë sulmet ajrore të veçanta në perëndim të Aleppos kundër ish-luftëtarëve të al-Kaidës, të njohur tani me emrin Grupi Khorasan. Aty thuhet se bombardimet erdhën në përgjigje të shqetësimeve se ky grup ka plane për të goditur së shpejti objektiva të SHBA dhe vendeve të tjera perëndimore.

Më 10 shtator Presidenti Obama njoftoi se kishte autorizuar përdorimin në shkallë të gjerë të sulmeve ajrore kundër shtetit islamik, duke përfshirë sulme në Siri.

SHBA fillojnë sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri (Foto + Video)

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende arabe kanë nisur sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, duke zgjeruar fushatën ajrore që fillimisht ka nisur në Irakun fqinj.

Pentagoni ka thënë se aleatët arabë që marrin pjesë në aksion, përfshijnë: Jordaninë, Arabinë Saudite dhe shtetet e Gjirit: Bahrejnin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë kryer 14 sulme kundër Shtetit Islamik, duke përdorur aeroplanët luftarakë, bombarduesit, avionët e telekomanduar dhe raketat Tomahawk.

Një total prej 47 raketash Tomahawk janë hedhur nga anijet amerikane në Detin e Kuq dhe në Gjirin Arab.

“Sulmet kanë shkatërruar ose dëmtuar disa caqe të Shtetit Islamik, përfshirë luftëtarë, komplekse të trajnimnit, komanda të kontrollit, objekte të magazinimit, një qendër financiare, kamionë të furnizimit dhe automjete të armatosura”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

E njëjta shton se shtetet arabe kanë marrë pjesë ose kanë mbështetur sulmet, por nuk jep detaje të tjera.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup monitorues me seli në Britani, ka thënë se sulmet ajrore kanë goditur provincën veriore Raka, kryeqytetin e saj, si dhe provincën lindore Deir el-Zour, e cila kufizohet me Irakun.

Raka është bastioni kryesor i militantëve të Shtetit Islamik.

Rami Abdurrahman, i cili kryesorn Observatorin, ka thënë se i ka konfirmuar informacionet për viktima në mesin e luftëtarëve militantë.

Pentagoni po ashtu ka thënë se tetë sulme të ndara ajrore kanë pasur në shënjestër një grup të ish-operativëve të Al Kaidës, të njohur si Grupi Khorasan, dhe janë kryer në provincën e Alepos.

Aksioni ka pasur për qëllim të parandalojë një sulm të mundshëm kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë nga “veteranët e Al Kaidës”, që kanë krijuar strehë të sigurt në Siri.

Abdurrahman, nga Obseravtori Sirian, ka thënë se 30 luftëtarë nga Fronti Al Nusra, i lidhur me Al Kaidën, dhe tetë civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë në sulmet kundër një caku në provincën Alepo.

Në anën tjetër, NATO-ja ka bërë të ditur se nuk është përfshirë në sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër objektivave të Shtetit Islamik në Siri.

Rusia ka thënë se sulmet ajrore shkelin sovranitetin e Sirisë dhe ligjin ndërkombëtar.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse thuhet se “operacionet e tilla kërkojnë pëlqimin e shprehur në mënyrë të qartë nga Qeveria siriane ose një vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Ministria e Jashtme e Sirisë, ndërkaq, përmes një deklarate që është lexuar në televizionin shtetëror, ka thënë se Damaskut i është bërë e ditur “disa orë më herët” se Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të saj do të sulmojnë militantët e Shtetit Islamik në Siri.

Mësohet se ministri i Jashtëm sirian, përmes Irakut, ka marrë një letër nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sulmet në territorin e Sirisë janë pjesë e një fushate të zgjeruar ushtarake, e cila është autorizuar nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama, afro dy javë më parë, me qëllim të degradimit dhe shkatërrimit të organizatës militante.

Qysh në fillim të gushtit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer rreth 190 sulme ajrore kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik në Irak.

SHBA llogarit se rreth dy të tretat e rreth 31,000 militantëve të Shtetit Islamik ndodhen në Siri.

Militantët kanë pushtuar sipërfaqe të mëdha të territorit që shtrihet nga Siria në veri dhe perëndim të Irakut.

Ata po ashtu kanë vrarë mijëra njerëz, si dhe u kanë prerë kokën disa shtetasve perëndimorë, përfshirë dy gazetarë amerikanë dhe një punëtor britanik të ndihmës.

Avancimi i Shtetit Islamik në veri të Sirisë ka krijuar krizë refugjatësh edhe në Turqinë fqinje, me mbi 130,000 refugjatë kurdë që kanë kaluar kufirin vetëm gjatë fundjavës.

Shumica e refugjatëve janë nga Kobane, qytet sirian pranë kufirit me Turqinë, i cili është nën rrethimin e militantëve të Shtetit Islamik.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara ka thënë se është duke bërë plane rezervë për t’u marrë me 400,000 banorët e mbetur në Kobane, që pritet të largohen për në Turqi.

Para fluksit të fundit, në Turqi veçmë janë ndodhur mbi një milion refugjatë sirianë.

SHBA fillojnë sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri

Zëdhënësi John Kirby tha se kundër militantëve janë përdorur avionët bombardues, të cilët kanë lëshuar raketa Tomahawk në Raqqa.

Sulmet ajrore vijnë pak ditë pas shpalljes së strategjisë nga presidenti amerikan, Barack Obama për siç ka thënë ai, degraduar dhe shkatërruar "Shtetin Islamik", i cili tashmë ka pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Siri dhe Irak.

-----

Departamenti i Mbrojtjes njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë filluar sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri.

Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Pool i tha Zërit të Amerikës se në sulmet kundër militantëve në Siri janë angazhuar avionë luftarakë dhe anije të pajisura me raketa kruz.

Nuk është e qartë se cilat vende të tjera të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të janë angazhuar në këtë sulm.

Presidenti Barack Obama autorizoi sulmet ajrore brenda Sirisë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të zgjerojnë luftën kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik kudo që ata janë.

Zëdhënësi i Pentagonit, nënkoloneli Jeff Pool i dha hollësi Zërit të Amerikës në lidhje me sulmet e reja amerikane kundër militantëve të Shtetit Islamik.

"Unë mund të konfirmojë se ushtria amerikane dhe ushtritë e vendeve partnere po ndërmarrin veprime ushtarake kundër terroristëve të ISIL-it në Siri duke përdorur aeroplanë luftarakë dhe raketa Tomahok".

Nënkoloneli Pool nuk dha informacion të mëtejshme për shkak se operacionet kundër Shtetit Islamik në Siri janë duke vazhduar. Mediat amerikane njoftojnë se pesë vende arabe, duke përfshirë Bahreinin, Katarin dhe Arabinë Saudite, morën pjesë në sulmet kundër militantëve në Siri.

Zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar qeverinë siriane që të mos pengojë sulmet ajrore amerikane ndaj militantëve.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë goditur Shtetin Islamik në Irak, duke kryer 190 sulme ajrore kundër këtij grupi. Këto sulme kanë ndihmuar ushtrinë e Irakut dhe forcat kurde të zbrapsin ekstremistët nga popullsitë e pambrojtura dhe infrastruktura qeveritare.

Më parë këtë muaj, Presidenti Barack Obama u zotua se do t’i ndjekë

militantët kudo që ata mund të jenë, duke përfshirë Sirinë.





Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat