Lirimi i pengjeve turke dhe lufta ndaj ISIS-it

Bota

Lirimi i pengjeve turke dhe lufta ndaj ISIS-it

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 23:25

Ministri i Jashtëm i Irakut thotë se vendi i tij duhet të udhëheqë luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik brenda kufijve të vet, por inkurajoi një fushatë të vazhdueshme ajrore të aleatëve ndërkombëtarë. Ndërkohë dhjetëra qytetarë turq që mbaheshin peng nga ISIS janë liruar. Ata mbërritën në Turqi sot në mëngjes, pas një qëndrimi 101 ditësh si pengje të Shtetit Islamik.

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, përballë udhëheqësve të disa prej vendeve kryesore të koalicionit kundër Shtetit Islamik, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, ministri i Jashtëm i Irakut Ibrahim al-Xhafari tha se vendi i tij duhet të mbante barrën kryesore të luftimeve në terren.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i tha Këshillit se mposhtja e grupit ekstremist në Irak dhe Siri, të cilin ai e quan ISIL, kërkon përpjekje ndërkombëtare.

"Koalicioni i nevojshëm për të eliminuar ISIL-in nuk është vetëm, apo kryesisht, ushtarak në natyrë. Ai duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfshijë një bashkëpunim të ngushtë në të gjithë linjat e ndryshme të përpjekjeve. Bëhet fjalë për të mposhtur një rrjet të gjerë, për të shkatërruar dhe diskredituar një kult militant që hiqet si një lëvizje fetare," tha ai.

Zoti Kerry shtoi se kundërshtari diplomatik i SHBA-së, Irani, që ndan një kufi të gjatë me Irakun, ka gjithashtu një rol në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Ndërkohë, dhjetëra pengje turke të rrëmbyer në Irak nga militantët islamikë rreth tre muaj më parë u liruan dhe u kthyen sot në Turqi, ku u pritën nga kryeministri Ahmet Davutoglu.

Të 49 pengjet u kapën në konsullatën turke në Mosul, më 11 qershor, kur grupi Shteti Islamik mori nën kontroll qytetin, gjatë pushtimit të zonave të gjera në Irak dhe Siri.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si Turqia kishte siguruar kthimin e sigurtë të pengjeve.

Agjencia turke e lajmeve Anadolu tha se nuk ishte kryer asnjë pagesë dhe se "nuk ishin pranuar kushte në këmbim të lirimit të tyre." Kjo agjenci, e cila nuk ka cituar asnjë burim, raportoi gjithashtu se ka pasur pesë ose gjashtë përpjekje të mëparshme për të siguruar lirimin e qytetarëve turq, por asnjëra prej tyre nuk kishte qenë e suksesshme.

Zoti Davutoglu ndërpreu një vizitë në Baku të Azerbajxhanit për t’u takuar me pengjet e liruara në provincën Sanliurfa, pranë kufirit të Turqisë me Sirinë.
Ata udhëtuan për në kryeqytetin turk Ankara në bordin e avionit të tij.

Zëvendës kryeministri i Turqisë tha se pengjet ishin të gjithë punonjës të konsullatës turke në Mosul të Irakut, 46 shtetas turq dhe tre irakianë. Ata përfshinin Konsullin e Përgjithshëm, diplomatë të tjerë, fëmijë dhe forca speciale të policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat