Obama: Trupat amerikane do të ndihmojnë vendet e goditura nga Ebola

Bota

Obama: Trupat amerikane do të ndihmojnë vendet e goditura nga Ebola

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 00:56

Presidenti amerikan Barak Obama konfirmoi të martën dërgimin e mijëra trupave amerikane për të forcuar shërbimet shëndetësore në Afrikën Perëndimore, ku rreth 2.500 njerëz kanë vdekur nga shpërthimi i Ebolës.

Pas një takimi me ekspertë të shëndetit në selinë e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve në Atlanta të Xhorxhias, Presidenti Obama tha se ushtria amerikane është në pozitë më të mirë për të përshpejtuar reagimin ndërkombëtar.

Presidenti tha se sistemet shëndetësore në Sierra Leone, Guinea, dhe Liberi ndodhen "pranë kolapsit" dhe ushtria amerikane nuk do të kujdeset direkt për pacientët e Ebolës, por do të trajnojë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe do të ndërtojë 17 objekte të kujdesit shëndetësor me nga 100 shtretër, të nevojshme për trajtimin e shumë viktimave të Ebolës.

Trupat amerikane, të cilat do të kenë bazën në Monrovia të Liberisë, gjithashtu do të lehtësojnë transportin e furnizimeve për rajonin.

Zoti Obama tha se një përgjigje e shpejtë nga bashkësia ndërkombëtare është thelbësore për frenimin e përhapjes së sëmundjes dhe për shmangien e trazirave politike në Afrikën Perëndimore.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë dhënë 175 milionë dollarë për përpjekjet për të vënë nën kontroll epideminë, dhe administrata e Presidetit Obama po i kërkon Kongresit më shumë fonde për të vazhduar përpjekjet për vënien nën kontroll të epidemisë së Ebolës gjatë një periudhe gjashtë mujore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat