Fatmiri i pafuqishëm që t’i shpëtojë 270 vajzat e rrëmbyera në Nigeri

Bota

Fatmiri i pafuqishëm që t’i shpëtojë 270 vajzat e rrëmbyera në Nigeri

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 10:08

Natën e 14 prillit të këtij viti, me qindra vajza të reja në një shkollë në Chibok në verilindje të Nigerisë u zgjuan me zhurmën e të shtënave nga armët e zjarrit. Ato panë burra me rroba ushtarake që po afroheshin dhe menduan se kishin ardhur ushtarët që t’i shpëtonin nga një sulm militant, thonë dëshmitarët e kësaj ngjarjeje.
Por, ishte e kundërta, pasi më shumë se 270 vajza të reja u kapën nga grupi i militantëve islamik, Boko Haram. Kapja e tyre nxiti reagim global si dhe u nis një fushatë e gjerë për shpëtimin e tyre, e nxitur pjesërisht nga thirrja nëpër rrjetet sociale #BringBackOurGirls (Na i ktheni vajzat tona).

E diela shënoi pesë mujorin që kur këto vajza ishin kidnapuar. Ju sjellim një historik të shkurtër se çfarë ka ndodhur që nga ajo kohë.

As edhe një nxënëse nuk është shpëtuar
Në ditët e para të kidnapimit të tyre, 57 prej vajzave ia dolën të iknin nga rrëmbyesit e tyre. Por, që nga ikja e këtij grupi, asnjë më tepër ka ikur apo është liruar.

Megjithëse ishin lokalizuar muaj më parë
Në muajin maj, një zyrtar ushtarak i Nigerisë pati thënë se e dinte ku gjenden vajzat e rrëmbyera. Një muaj më vonë, aeroplanët amerikanë të vëzhgimit gjithashtu vunë re një grup që besohej se ishte grupi i vajzave të rrëmbyera.

Stephen Davis, një klerik dhe ndërmjetës nga Australia, ka thënë në muajin qershor se një marrëveshje për lirimin e vajzave ka dështuar në tri raste të ndryshme brenda një muaji. Ai thotë se njerëz të pushtetshëm me “interesa të gjera” po punojnë për të sabotuar këtë marrëveshje, ndërsa ka akuzuar edhe politikanët nigerianë se po e financojnë Boko Haramin. Qeveria e Nigerisë ka mbrojtur qëndrimin e tij për krizën dhe ka paralajmëruar se përpjekjet për shpëtimin e tyre mund të rrezikojnë jetët e vajzave.

Edhe vendet tjera kanë shënuar pak përparim
Sipas Associated Press, Nigerisë iu deshën më shumë se dy javë për t’i pranuar ofertat e ndihmës ndërkombëtare për gjetjen e vajzave.

Kur vendet tjera filluan me ndihmat e tyre, ata nuk arritën edhe shumë. SHBA-të dërguan 80 trupa në fund të majit për të koordinuar një kërkim nga ajri nga Çadi fqinj. Edhe Kanadaja, Franca, Izraeli e Britania dërguan forca speciale në Nigeri. Por gjashtë javë më vonë, sekretari për media i Pentagonit bëri me dije se misioni i SHBA-ve do të zvogëlohet në numër, duke shtuar: “Nuk kemi ndonjë ide më të mirë në lidhje me vendndodhjen e vajzave sot përveç atyre që i kemi pasur në fillim”.

Trupat amerikane janë ende në Çad dhe SHBA-të ende vazhdojnë të kryejnë fluturime vëzhgimi në kërkim të vajzave çdo javë. Zyrtarët amerikanë kanë shfaqur brenga në lidhje me shpërndarjen e informatave sekrete rreth grupit Boko Haram duke pas parasysh të dhënat e këqija të ushtrisë nigeriane për të drejtat e njeriut.

Në ndërkohë, qyteti i lindjes së vajzave është ende në rrezik
Banorët e Chibokut janë të kërcënuar shpesh nga ndonjë sulm i militantëve. Në muajin qershor ishte ndërmarr një ofensivë nga Boko Haram në fshatrat e afërta ku edhe ishin kidnapuar vajzat.

Tragjikisht, së paku 11 prindër të vajzave të kidnapuara ishin vrarë nga militantët apo kanë vdekur nga sëmundjet.

Dhe dhuna nga Boko Haram sa vazhdon e rritet
Që nga prilli, Boko Haram thotë të ketë pushtuar së paku pesë qytete në verilindje të Nigerisë, megjithëse ushtria thotë se i ka rikthyer disa prej tyre. Grupi militant ka kidnapuar së edhe tri grupe tjera më të vogla të vajzave e edhe disa dhjetëra djem e burra të rinj – disa prej të cilëve janë shpëtuar më vonë.

Raportohet se që nga 14 prilli i këtij viti janë vrarë më shumë se 2,100 persona nga Boko Haram, shifra këto të siguruara nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë. Dhe gjatë një ofensive 10 ditore gjatë muajit gusht, rreth 10 mijë persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve në verilindje të Nigerisë.

Ushtria nigeriane ka dështuar nën presion
Ushtria nigeriane duket se nuk është e armatosur sa duhet për t’u përballur me këtë sfidë. Me ankesën se nuk kanë armë të mjaftueshme, së paku 40 ushtarë nigerianë raportohet t’i kenë refuzuar urdhrat për ta luftuar Boko Haramin në muajin gusht. dhe gjatë sulmeve të fundit nga Boko Haram në qytetet kufitare, së paku 600 ushtarë nigerianë raportohet të jenë larguar në Kamerun. Ushtria ka deklaruar se disa nga trupat e tyre ishin duke kryer manovra taktike.

...dhe janë akuzuar për abuzime të rënda me të drejtat e njeriut
Forcat e sigurisë së Nigerisë dhe militantët e sponsoruar nga shteti ka kohë që akuzohen për abuzime të rënda, përfshi kidnapime, tortura dhe vrasje jashtëgjyqësore. Pas sulmit të fundit të qeverisë ndaj Boko Haramit, janë publikuar dëshmi se autoritetet kanë torturuar dhe vrarë disa civilë nën akuzën se kanë pasur lidhje me grupin militant.

Pas gjithë kësaj, vendi është i brengosur për imazhin në botë
Qeveria nigeriane ka paguar një firmë nga Washingtoni në vlerë prej më shumë se 1.2 milion dollarë për të ndryshuar rrëfimet mediale të ndërlidhura me rrëmbimin e jazave të reja, është thënë në një raport të muajit qershor nga “The Hill”. Presidenti i vendit, Goodluck Jonathan (që në shqip i bie Fatmir Jonathani), së fundmi është përballur me kundërsulme të ashpra pasi një grup që po ia bën fushatën për rizgjedhje në këtë post ka përdorë etiketimin #BringBackGoodluck2015 (Na e ktheni Fatmirin 2015), duke nxitur reagime të ashpra nga grupet që ende po kërkojnë kthimin e vajzave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat