Në Suedi “përjashtohet” e djathta ekstreme

Bota

Në Suedi “përjashtohet” e djathta ekstreme

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 08:37

Lideri i social-demokratëve në Suedi ka thënë se do të përpiqet të formojë qeverinë, por ka theksuar se nuk do të punojë me ekstremin e djathtë.

Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës e kanë nxjerrë fituese partinë opozitare të Stefan Lofven, por pa shumicë të pastër parlamentare.

Blloku i qendrës së majtë ka siguruar 43.7 për qind të votave, ndërsa Partia e Moderuar e kryeministrit Fredrik Reinfeldt 39.3 për qind dhe demokratët e ekstremit të djathtë 13 për qind.

Reinfeldt e ka pranuar humbjen dhe ka thënë se do të japë dorëheqje të hënën.

Lofven ka thënë se Suedia ka pasur nevojë për një drejtim të ri, pas sfidave të mëdha me të cilat është përballur gjatë sundimit tetëvjeçar të qendrës së djathtë.

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës shënon fundin e epokës tetëvjeçare të shkurtimit të taksave dhe të politikave pro-tregut, që ka ndërmarrë Reinfeldt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat