Xhihadistët, brenda një muaji në Evropë

Bota

Xhihadistët, brenda një muaji në Evropë

Më: 31 gusht 2014 Në ora: 09:56

Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite ka paralajmëruar se Perëndimi do të jetë caku i ardhshëm i xhihadistëve që po luftojnë në Siri dhe Irak, nëse nuk ndërmerren masa “të shpejta”.

“Nëse ne i injorojmë ata, unë jam i sigurt se ata do të mbërrijnë në Evropë brenda një muaji, dhe në Amerikë një muaj më pas”, ka thënë ai, sipas të përditshmes Asharq al-Awsat dhe televizionit Al-Arabiya. “Terrorizmi nuk njeh kufi dhe rreziku i tij mund të prekë disa vende jashtë Lindjes së Mesme”, ka thënë mbreti, duke folur në një ceremoni mirëpritëse për ambasadorët e rinj në vend, duke përfshirë një emisar të ri nga aleatët e sauditëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Grupi xhihadist Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS) ka ngjallur shqetësime të gjera teksa ai po avancon në Siri dhe në Irak, duke vrarë disa qindra njerëz, madje edhe me prerje të kokave.

Mungesa e reagimit do të ishte “e papranueshme” përballë këtij fenomeni, ka deklaruar mbreti saudit, Abdullah. “Po shihni se si ata (xhihadistët, v.j.) po presin koka dhe po i detyrojnë fëmijët që t’i ekspozojnë kokat e prera në rrugë”, është shprehur Abdullah, duke dënuar “mizorinë” e veprimeve të tilla. “Ju tashmë e dini se çfarë kanë bërë ata, dhe se çfarë do të bëjnë ata në të ardhmen. Unë po ju kërkoj juve që t’ia transmetoni këtë mesazh udhëheqësve tuaj: ‘Luftojeni terrorizmin me forcë, me arsye dhe me shpejtësi!’”, ka deklaruar mbreti i Arabisë Saudite.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ende nuk ka vendosur nëse vendi i tij duhet të ndërmarrë sulme kundër pozicioneve që mbahen nga ISIS në Siri, pas sulmeve ajrore amerikane ndaj aktiviteteve të grupit xhihadist në Irak. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, të premten ka bërë thirrje për një koalicion global për t’iu kundërvënë “agjendës gjenocidale” të ISIS-it.

Në një shkrim në New York Times, Kerry ka thënë se ai dhe sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, do të takohen me homologët e tyre evropianë në margjinat e një samiti të NATO-s në Uells, javën e ardhshme, për të ofruar ndihmën e tyre. Më pas, ata do të udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme për të siguruar mbështetje “në mesin e vendeve që janë më të rrezikuarat drejtpërdrejt”.

“Me një reagim të përbashkët, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe me koalicionin më të gjerë të mundshëm të vendeve, kanceri i ISIS-it nuk do të lejohet të përhapet në vendet e tjera”, ka thënë Kerry në një kolumne të botuar të premten në të përditshmen prestigjioze amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat