Rusia kërkon hetim për varrosjen e ushtarëve rusë

Bota

Rusia kërkon hetim për varrosjen e ushtarëve rusë

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 09:16

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin ka thënë se raportet se janë mbajtur funerale sekrete për ushtarët rusë që janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, duhet të hetohen.

Dmitry Peskov, citohet të ketë thënë se raportime të tilla, duhet të kontrollohen në detaje para se të arrihet në një përfundim.

Ai ka thënë se nuk mund të konfirmojë nëse verifikime të tilla kanë filluar.

Raportimet e mediave të pavarura në Rusi kanë thënë se funerale sekrete për dy ushtarë rusë janë mbajtur në Rusinë veriperëndimore.

Pjesëmarrësit janë cituar të kenë thënë se ushtarët janë vrarë në Ukrainë.

Ukraina gjatë kësaj jave ka thënë se forcat e saj kanë kapur 10 ushtarë rusë. Moska ka thënë se ata kanë kaluar në Ukrainën lindore, aksidentalisht.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se dyshon që një “kundërofenzivë e drejtuar nga Rusia” është duke ndodhur kundër forcave qeveritare të Ukrainës në rajonet e Donjeckut dhe Lluhanskut.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat se po ndihmon kryengritjen e separatistëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat