Lagarde: Nuk dorëhiqem

Bota

Lagarde: Nuk dorëhiqem

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 00:45

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde tha se është duke u hetuar për neglizhencë në një rast korrupsioni kur ishte ministre franceze e financave.

Në një deklaratë të bërë sot, zonja Lagarde i quajti akuzat ndaj saj "të pabaza" dhe tha se do ta apelojë vendimin për të bërë hetime ndaj saj.

Në Francë, një hetim zyrtar nënkupton një akuzë paraprake, por gjyqtarët hetues mund ta heqin akuzën, mund të ngrenë zyrtarisht një akuzë dhe mund ta dërgojnë çështjen në gjyq.

Zonja Lagarde tha se pas tre vitesh hetime, pretendimi i vetëm kundër saj ishte se ajo nuk u tregua sa duhet "vigjilente" në zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje lidhur me manjatin e biznesit Bernard Tapie dhe shitjen e aksioneve që ai kishte në firmën gjermane Adidas.

Zonja Lagarde tha se ajo nuk do të dorëhiqet, por po kthehet në Uashington, ku do të japë shpjegime përpara një bordi të Fondit Monetar.

Gjykatësit francezë e morën atë në pyetje për herë të katërt mbi mënyrën se si e trajtoi ajo çështjen e një pagese prej 527 milion dollarësh për biznesmenin Tapie.

Zonja Lagarde ka thënë se pagesa e bërë ishte në interes të shtetit, por sipas kritikëve, shuma e paguar ishte tepër e madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat