Brazil, revoltë në burg, vrasje e tortura

Bota

Brazil, revoltë në burg, vrasje e tortura

Më: 26 gusht 2014 Në ora: 00:40

Dy të burgosur të vrarë me prerje koke, dy të tjerë të hedhur nga çatia e burgut dhe dy gardianë të marrë peng nga të dënuarit.

Është ky bilanci, ende provizor, i një revolte ende në vazhdim në burgun Kaskavel, në jug të Brazilit.

Revolta, që nisi mëngjesin e së dielës, ka si protagonistë rreth 700 të burgosur që kërkojnë kushte më të mira brenda qendrës së vuajtjes së dënimit. G

jithçka filloi kur një agjent u mor peng nga disa prej tyre në orën e mëngjesit. Më pas dhjetëra të dënuar hipën në çatinë e ndërtesës, me kokën dhe fytyrën të mbuluar nga çarçafë të bardhë, duke terrorizuar bashkëvuajtësit përmes dhunës dhe torturave.

Jairo Ferreira, përfaqësues i sindikatës së policisë së burgjeve, ka thënë për mediat lokale se koka e një prej të burgosurve është përdorur nga rebelët për të trembur agjentët.

Ndërsa sipas raportimeve të BBC, përveç kushteve të jetesës në burg, në qendër të dhunës janë dy banda kundërshtare të trafikut të drogës.

Brazili është në vendin e katërt në botë për numrin e të burgosurve, me rreth gjysmë milion të tillë, përballë kapaciteteve prej 300 mijë vendesh që kanë burgjet vendase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat