Bankat greke planifikojnë të mbyllin apo shesin filialet e tyre në Ballkan

Bota

Bankat greke planifikojnë të mbyllin apo shesin filialet e tyre në Ballkan

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 17:46

Në përpjekje për të siguruar mbijetesën e tyre, bankat e mëdha greke do të ndërmarrin aksione për reduktimin e filialeve dhe të numrit të punonjësve, kryesisht në tregjet jashtë vendit. Që prej fillimit të krizës, sistemi bankar grek po vuan sprova shumë të vështira. Shumë prej bankave të nivelit të dytë kanë kaluar në duart e bankave më të fuqishme, por edhe këto të fundit kanë nevoja dramatike për likuiditete, që ende po kompensohen nga Banka Qendrore Europiane. Në këto kushte, bankat po kërkojnë rrugëdalje, ndërsa në muajin tetor do t’iu duhet të përballen edhe me stress-testin, ku autoritetet europiane do të çertifikojnë se të afta do të jenë bankat për t’iu rezistuar risqeve të mundshme
Komisioni Europian miratoi ditët e fundit projektet e ristrukturimit të dy bankave më të mëdha në Greqi, National Bank of Greece (NBG) dhe Pireus Bank, ndërsa më herët kishte hapur “dritën jeshile” edhe për Alpha bank dhe Eurobank.
Të gjitha projektet konsistojnë në uljen e shpenzimeve dhe rritjen e likuiditeteve, nëpërmjet reduktimit të numrit të filialeve dhe të punonjësve.
NBG, Pireus dhe Alpha bank operojnë edhe në Shqipëri. Të trija këto banka do të duhet tashmë të rishikojnë prezencën e tyre në vendin, e disa prej tyre edhe të largohen fare.
Siç vinte në dukje të mërkurën e përditshmja e madhe greke, Ethnos, Banka Kombëtare Greke, NBG, do të duhet që deri në vitin 2018, të ketë mbyllur filialet në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Rumani, Serbi, por edhe në Afrikë të Jugut e në Egjipt. Të martën, NBG njoftoi se vinte në shitje 20 per qind të aksioneve që disponon në Finans Bankën turke, me shpresën të inkasojë 600 milionë euro. Po sipas gazetës Ethnos, Alpha Bank parashikon që deri në fund të vitit të ketë mbyllur gjithë filialet e veta në Europën Juglindore dhe Ballkan, me përjashtim ndoshta të Qipros dhe Rumanisë.
Vitin e kaluar Alpha mbylli 33 filiale jashtë Greqisë me një numër të përgjithshëm prej 650 punonjësish.
Disi më mirë paraqiten gjasat për Bankën e Pireut. Grupi bankar, pjesë e të cilit është dhe Tirana bank, do të duhet që deri në vitin 2018 ta ketë ulur aktivin jashtë Greqisë në nivelin 3,5 miliardë euro. Në të kundërt, do të duhet të mbyllë ose të shesë gjithë filialet jashtë vendit. Gjithsesi, sipas gazetës tjetër greke, Kathimerini, banka e Pireut do të synojë deri në fund që të mbajë filialet në Bullgari dhe Shqipëri. Sipas eksperteve pavaresisht reduktimit apo mbylljes se filialeve te bankave procedurat ne fuqi garantojne plotesisht depozitat e qytetareve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat