Obama dhe liderët evropianë biseduan për Ukrainën

Bota

Obama dhe liderët evropianë biseduan për Ukrainën

Më: 28 korrik 2014 Në ora: 20:56

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe liderët evropian kanë folur sot së bashku me telefon lidhur me hapat e ardhshëm për krizën në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se zoti Obama ka biseduar me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, me presidentin francez, Francois Hollande, kryeministrin britanik, David Cameron, dhe kryeministrin italian, Matteo Renzi.

Kjo bisedë e përbashkët telefonmike u bë derisa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i shqyrtojnë mundësitë e sanksioneve më të ashpra kundër Rusisë, për shkak të krizës lidhur me rrëzimin e aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë (MH17), më 17 korrik, në pjesën lindore të Ukrainës.

Perëndimi i akuzon separatistët në pjesën lindore të Ukrainës se e kanë goditur dhe rrëzuar aeroplanin dhe e fajësojnë Rusinë për furnizimin e kryengritësve me pajisje, që u mundësojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Këtë javë priten sanksionet më të ashpra të Shteteve të Bashkuara.

Bashkimi Evropian, poashtu, javën e kaluar, e ka arritur marrëveshjen paraprake për sanksione shtesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat