Fashiten luftimet në Gazë me rastin e Bajramit

Bota

Fashiten luftimet në Gazë me rastin e Bajramit

Më: 28 korrik 2014 Në ora: 18:19

Luftimet në Gazë janë fashitur me rastin e Bajramit, ndërkohë që udhëheqësit botërorë po i bëjnë trysni Izraelit dhe militantëve të Hamasit të ulin armët dhe t'i japin fund konfrontimeve të përgjakshme që kanë zgjatur tri javë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një deklaratë që bën thirrje për një armëpushim humanitar "të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar" mes Izraelit dhe Hamasit. Por Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu e hodhi poshtë kërkesën, duke i thënë shefit të OKB-së Ban Ki-moon se deklarata merret me "nevojat e një grupi vrasës terrorist që sulmon civilët izraelitë" duke mos përfillur nevojat e sigurisë të shtetit hebre.

Në një intervistë me televizionet amerikane, udhëheqësi i Hamasit Khaled Meshaal kërkoi që Izraeli t'i japë fund pushtimit të Gazës dhe tha se nuk do të njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Megjithëse beteja e deklaratave vazhdon, sot Izraeli i kufizoi sulmet në Rripin e Gazës ndërkohë që edhe sulmet palestineze me raketa kundër Izraelin ranë ndjeshëm.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se për një periudhë të pakufizuar ushtria do të hapë zjarr vetëm në përgjigje të sulmeve, por do të vazhdojë kërkimin dhe shkatërrimin e tuneleve ndërkufitare që Hamasi i përdor për të depozituar armë dhe për të hyrë fshehurazi në Izrael.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat