OKB: Rrëzimi i avionit MH17, krim lufte

Bota

OKB: Rrëzimi i avionit MH17, krim lufte

Më: 28 korrik 2014 Në ora: 16:46

Rrëzimi i avionit malajzian në lindje të Ukrainës mund të përbëjë krim lufte. Kështu ka deklaruar shefja e të Drejtave të Njeriut në OKB, Navi Pillay
Mësohet se policia holandeze dhe ajo australiane janë nisur për në vendngjarje për të hetuar, por rebelët nuk e kanë lejuar hyrjen e tyre që në momentet e para.

“Kjo shkelje e ligjit ndërkombëtar, duke pasur parasysh rrethanat, mund të përbëjë krim lufte”, ka thënë komisionerja e lartë e OKB-së.

Të paktën 1129 persona janë vrarë dhe 3442 të tjerë janë plagosur në konfliktin mes forcave ukrainase dhe rebelëve pro-rusë që nga mesi i muajit prill. Ushtria ukrainase po përpiqet të marrë kontrollin e dy rrugëve kryesore, të cilat qeveria e Kievit beson se janë linjat jetike të furnizimit rus për forcat rebele në lindje të Ukrainës.

Gjatë 24 orëve të kaluara mësohet të ketë pasur bombardime në qytetet Donjesk dhe Horlivka ku mbetën të vrarë shumë civilë. Ukraina dhe qeveritë perëndimore besojnë se kanë qenë rebelët prorusë ata që goditën me raketë tokë-ajër fluturimin 17 të avionit malajzian. Ndërsa Moska dhe rebelët fajësojnë forcat ukrainase për rrëzimin e avionit. SHBA ka prodhuar atë që e quan prova satelitore që vërteton se raketa është gjuajtur nga forcat rebele në lindje të Ukrainës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat