Kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk ka ofruar t’ia kalojë hetimet mbi rrëzimin e avionit malejzian Hollandës, e cila ka pësuar numrin më të madh të viktimave në këtë incident.
Në një konferencë për shtyp sot në Kiev, zoti Yatsenyuk shprehu revoltim ndaj separatistëve pro-rusë, të cilët i fajësoi se rrëzuan avionin gjatë udhëtimit. Ai shtoi se Moska vazhdon të mbajë anën e gabuar.
Ndërkaq, tre hetues hollandezë mbërritën në skenën e incidentit. Kreu i ekipit tha se trupat e viktimave duket se janë mbajtur në kushte të mira për hetimin, katër ditë pas rrëzimit.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund të votojë sot mbi një rezolutë që kërkon qasje ndërkombëtare në vendin ku ka rënë avioni. Këshilli i Sigurimit zhvilloi mbrëmë takim në selinë e OKB-së në Nju Jork për të diskutuar tekstin e rezolutës.
Australia po bën presion të fortë për miratimin e rezolutës. Incidenti shkaktoi vdekjen e 37 shtetasve australianë.