"MH71", tri ditë pas rrëzimit, nxirren 196 trupa

Bota

"MH71", tri ditë pas rrëzimit, nxirren 196 trupa

Më: 21 korrik 2014 Në ora: 09:03

Rebelët prorusë thanë se kanë gjetur kutitë e zeza me informacione të rëndësishme nga avioni malajzian i pasagjerëve që u qëllua dhe rrëzua në lindje të Ukrainës.

Udhëheqësi i rebelëve, Alexander Borodai tha se kryengritësit do t’i dorëzojnë ato tek ekspertët ndërkombëtarë të aksidenteve ajrore.

Departamenti i një ministrie të emergjencave në Ukrainën lindore tha sot se trupat e 196 nga 298 personave që ishin në bordin e avionit të rrëzuar të kompanisë Malaysia Airlines janë gjetur tri ditë pas rrëzimit.

Në fillim nuk ishte e qartë se ku ishin vendosur trupat 196 pasagjerëve. Megjithatë, agjencia e lajmeve Reuters sot njoftoi se trupat e gjetur të pasagjerëve të avionit të rrëzuar janë vendosur në vagonat e një treni frigorifer në qytetin Torez, 15 kilometra nga vendi ku u rrëzua avioni malajzian.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur zemërim dhe shqetësim në lidhje me ndotjen e vendit ku është rrëzuar avioni. Kryeministri i Australisë thotë se situata në vendin ku është rrëzuar avioni në Ukrainën lindore është "absolutisht kaotike".

"Unë kam thirrur ministrin rus të tregtisë në një takim dhe ia kam bërë të qartë shqetësimet dhe pakënaqësitë e mia mbi mënyrën se si po trajtohet kjo çështje. Rusia nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë sepse kjo ka ndodhur në një territor të kontrolluar nga rusët, rebelët e mbështetur nga Rusia, dhe ka shumë të ngjarë që sulmi mund të jetë kryer me armë të furnizuara nga Rusia".

Zoti Abbot tha të dielën në një intervistë me kanalin australian ABC se është i shqetësuar se dëmtimi i provave do të vazhdojë, pasi askush "nuk po i drejton operacionet në terren".

Gjatë një ceremonie përkujtimore në Sidnei për viktimat, peshkopi që drejtonte ceremoninë kritikoi ashpër udhëheqjen e Rusisë.

"Rrëzimi i avioni malajzian nuk ishte një aksident i pafajshëm. Ai ishte rezultat i një përpjekjeje të keqe njerëzore. Shikoni se si fajësimi i të tjerëve është strategjia e tanishme e atyre që janë përgjegjës për këtë vepër".

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, thotë ai i ka thënë homologut të tij rus Sergei Lavrov gjatë një bisede telefonike se Shtetet e Bashkuara janë "shumë të shqetësuara" rreth njoftimeve se mbetjet e avionit dhe trupat e viktimave janë larguar nga zona e rrëzimit të avionit.

Sipas dëshmive të deri tanishme, avioni i kompanisë Malaysia Airlines është goditur dhe rrëzuar nga një raketë të enjten në rajonin e kontrolluar nga seperatistët pro-rusë, Donetsk.

Aeroplani po fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur. 298 njerëzit në bord kanë humbur jetën. Shumica e tyre ishin shtetas holandezë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat