Xhihadisti i penduar: Ata po e fëlliqin islamin!

Bota

Xhihadisti i penduar: Ata po e fëlliqin islamin!

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 15:08

Një shtetas francez ka rrëfyer se si është rekrutuar për xhihad, kush ia ka larë trurin në Francë, për kë ka luftuar në Siri dhe cilat ishin veprimet e xhihadistëve, që e bënë ta kuptojë se ku është ngatërruar. Ai synon t’i paralajmërojë kandidatët për xhihad se çfarë i pret.

“Ata njerëz atje po e fëlliqin islamin”. Këto fjalë janë të një 20-vjeçari, të cilin vendosëm ta quajmë Munir, i cili kishte shkuar për të bërë xhihad në Siri.

Pasi është kthyer në Roubaix, qyteti i tij i lindjes, në veri të Francës, ai ka pranuar të rrëfejë në hollësi gjithë historinë e tij që ka të bëjë me luftën e shenjtë të tij, që nga rekrutimi deri në kthimin në shtëpi.

Dëshmia e tij është botuar në gazetën “La Voix du Nord”. Përmes saj, i riu dëshiron t’ua tërheqë vërejtjen bashkëmoshatarëve, të cilët mendojnë të shkojnë për xhihad, ose atyre që ndokush është duke u përpjekur t’ua mbushë mendjen.

Gjithçka ka nisur në Roubaix. Aty është rekrutuar nga predikuesit, “pa dijeninë e familjeve, të xhamive dhe të shtetit”. “Mua ata më kanë thënë:

‘Nuk ke nevojë të shkosh në xhami! Nëse dëshiron ta mësosh fenë e vërtetë, eja me ne!’. Ata më tregonin ajete kuranore dhe më thoshin: ‘Ja, shikoje këtë ose atë video-incizim’”, ka rrëfyer Muniri për gazetën rajonale.

Kështu, Muniri kalon shumë kohë duke shikuar këso video-incizimesh dhe duke lexuar thirrjet e sheikëve për të bërë xhihad. Ai nis të largohet, të rrijë në distancë me njerëzit e afërm dhe me vendet e kultit. E fusin në atë rrugën nga e cila s’ka kthim prapa. I premtojnë parajsën. Por, e çojnë drejt ferrit.

“Ata, në këtë mënyrë, ma lanë trurin”, thotë ai për gazetën, transmeton Zëri.

Më tej ai rrëfen si shkon në fillim të vitit 2013 në Siri, nëpërmjet Algjerisë, Egjiptit dhe Turqisë. Një pjesë të parave për udhëtim ia paguajnë “vëllezërit”.

Dhe, rrëfen edhe për ditët e para në një kamp trajnimi të “Shtetit Islam në Irak dhe Levant” (SHIIL). Në fakt, ai do të ndjekë një trajnim tremuajsh për përdorimin e “Kallashnikovit” dhe raketahedhësit. Aty përgatitet fizikisht e mendërisht.

Xhihadisti i ri më pas dërgohet në Damask, ku do të luftojë për nëntë muaj. Gjatë kësaj kohe ai do të shohë masakra ndaj grave e fëmijëve. Do të takojë edhe të tjerë luftëtarë nga Roubaix, të cilët i përkisnin grupeve të ndryshme, nganjëherë rivale.

“Kam gjuajtur shumë me armën time. Nuk e di nëse kam vrarë ndonjërin. Krejt çka mund të them është se unë nuk kam torturuar asnjëherë njerëz”, tregon për gazetën ai.

Metodat e një dhune ekstreme të përdorura nga “Shteti Islam në Irak e Levant” e tronditin.

“Mënyra se si ata i trajtonin të vdekurit ishte një prej shenjave të para që e kam kuptuar ku jam ngatërruar. Ata tërhiqnin trupat zvarrë, luanin me ta. Nuk i respektonin (as të vdekur)”.

Më pas, Muniri vendos të kthehet në Francë. Heq të zitë e ullirit.

“Nuk guxoja të thosha se po kthehem nga frika se do të më merrnin për tradhtar”, tregon ai.

Porsa është kthyer, ai është arrestuar nga autoritetet franceze, të cilat e kanë liruar, por janë duke e vëzhguar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat