Izraeli vret liderin ushtarak të Hamas

Bota

Izraeli vret liderin ushtarak të Hamas

Më: 8 korrik 2014 Në ora: 20:03

Operacion i gjerë i sigurisë nga ana e izraelitëve, kundër grupit të militantëve të Hamas, “me shumë mundësi nuk do të përfundojë pa kaluar disa ditë”, tha ministri i Mbrojtjes, Moshe Ya’alon, të martën.

Zhvillimet e fundit duket se konfirmojnë frikën se konflikti do të vazhdojë të përshkallëzohet. “Nuk do të tolerojmë lëshimin e raketave, ndaj jemi të përgatitur të zgjerojmë operacionin dhe t’i vendosim Hamasit një taksë të rëndë”, tha ai.

Militantët kanë lëshuar më shumë se 130 raketa nëpër zonat me civilë izraelitë gjatë natës së të hënës, bëri të ditur ushtria izraelite të martën. Në kundërpërgjigje, Izraeli ka “shënjestruar rreth 150 zona terroriste në Gaza”, u bë e ditur nga Forcat izraelite të Mbrojtjes në Twitter.

Të paktën 16 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, që prej nisjes së tyre natën e së hënës, siç bëjnë të ditur burimet palestineze. Mes tyre është edhe Mohammad Sha’aban, një lider i krahut të militantëve të Hamasit. Izraeli konfirmoi se Sha’aban, “një terrorist i lartë i Hamasit”, është vrarë.

Një tjetër militant ka mbetur i vdekur nga një sulm ajror i Izraelit në një fushë të hapur në Gaza. 10 persona janë vrarë gjatë së martës, teksa po formonin një “mburojë njerëzore” në çatinë e një shtëpie, që i përkiste anëtarëve të krahut luftarak të Hamasit. 2 prej tyre ishin fëmijë, bëjnë të ditur burimet mjekësore palestineze.

Shtëpia gjendej shumë pranë një tjetër shtëpie, që i përkiste po të njëjtëve anëtarë të Hamasit, që u qëllua edhe gjatë natës së të hënës, thanë burime palestineze.

Ushtria izraelite, përmes Twitter-it, tha se Hamasi “po përdor gjithashtu palestinezët si mburoja njerëzore teksa lëshojnë raketa drejt Izraelit”. Në postimin e tyre përfshihej edhe një foto e asaj që Izraeli e quan si momenti “i lëshimit të një rakete nga Hamas nga një zonë e banuar me civilë”.

Operacioni për Mbrojtjen e Kufijve, nga ushtria izraelite kundër Hamasit, ka hyrë në një “fazë substanciale”, teksa sulmet ajrore po godasin rreth 50 shënjestra, përfshi shtëpi të militantëve, si dhe streha ushtarake, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Peter Lerner, për CNN.

“Jemi të vendosur të rikthejmë gjendjen e sigurisë”, tha ai. Ushtria izraelite ka thirrur gjithashtu disa qindra rezervistë dhe po planifikon të rekrutojë shumë më tepër, për të përforcuar pozicionet e saj përreth Rripit të Gazës, “me një objektiv të mundshëm, manovrat ushtarake nga toka”, tha Lerner gjatë së martës.

Kabiteni qeveritar izraelit autorizoi të martën ushtrinë të grumbullonte 40 mijë trupa rezervë. Gjatë një ofensive të ngjashme në Gaza, në Nëntor të 2012-s, u thirrën rreth 30 mijë rezervistë. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, bëri thirrje ndaj Izraelit të ndalë urgjentisht sulmet ajrore, duke paralajmëruar se operacioni mund të fusë rajonin në një gjendje destabilizuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat