SHBA: Në Afganistan të mos rrëmbehet pushteti

Bota

SHBA: Në Afganistan të mos rrëmbehet pushteti

Më: 8 korrik 2014 Në ora: 08:39

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka tërhequr vërejtjen se çfarëdo përpjekje për marrjen e pushtetit në Afganistan me “mjete joligjore” do të ndikoj në ndaljen e ndihmave ndërkombëtare.

Kjo vërejtje e zyrtarit të lartë amerikan u bë pasi dje u shpallën rezultatet preliminare zyrtare të rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe ato menjëherë shkaktuan mospajtime ndërmjet dy kandidatëve për president të ardhshëm të këtij vendi.

Në një kumtesë të sotme, zoti Kerry ka shprehur “shqetësim të thellë” për raportet që sugjerojnë “qeveri paralele” dhe tha se Uashingtoni pret që institucionet zgjedhore të Afganistanit do të zhvillojnë hetime për “dyshime të arsyeshme për parregullësi”.

Komisioni i Pavarur Zgjedhor i Afganistanit dje i ka shpallur rezultatet preliminare nga zgjedhjet e 14 qershorit, sipas të cilave kandidati, Ashraf Ghani, ka fituar 56.44%, ndërsa Abdullah Abdullah, 43.56% të votave.

Një zëdhënmës i zotit Abdullah i ka hedhur poshtë rezultatet duke vlerësuar se ato janë “komplot kundër vullnetit të popullit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat