Heqja e mbetjeve hapësinore

Bota

Heqja e mbetjeve hapësinore

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 17:06


Çdo gjë që ne hedhim në orbitën rreth tokës pas një kohe bëhet mbetje hapësinore. Shkencëtarët thonë se rritja e numrit të objekteve të papërdorshme që sillen rreth tokës po kërcënon funksionimin satelitëve si dhe fluturimet në hapësirë. Agjencia Evropiane e Hapësirës, ESA, ka në plan ta zgjidhë këtë problem.

Siç përshkruhet në filmin Gravity, fitues i çmimit Oskar, mbetetjet hapësinore mund të jenë vdekjeprurëse.

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA thotë se 500 mijë objekte ndodhen në hapësirë dhe më shumë se 20 mijë prej tyre janë më të mëdha se sa një mollë. Shumica e këtyre mbetjeve lëvizin me një shpejtësi prej më shumë se 25 mijë kilometra në orë.

Me këtë shpejtësi, madje edhe një copë metali e madhësisë së një qershie mund të shkaktojë dëme të mëdha, thotë zëvendës kreu i ESA-s për mbetjet hapësinore, Holger Krag.

"Me këtë shpejtësi të dy objektet do të thyheshin në copëza, kjo do të ishte keq për objektin e goditur dhe për mjedisin sepse më pas do të shtoheshin fragmente të tjera të cilat përsëri do të mund të përplaseshin me objekte të tjera".

Shkencëtarët monitorojnë rrugën e mbetjeve hapësinore dhe nganjëherë ripozicionojnë satelitët apo edhe Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për të shmangur përplasjet. Por Holger Krag thotë se për vëzhgimin e mbetjeve orbitale në hapësirë duhen sensorë të fuqishëm.

"Komanda strategjike e NASA-s i ka këta sensorë, që janë relike të Luftës së Ftohtë dhe përdoreshin për të diktuar afrimin e raketave. Është një rrjet global i radarëve dhe stacioneve të teleskopëve në tokë të cilët vazhdimisht vezhgojnë lëvizjet në hapësirë".

Humbja e komunikimit, sistemit satelitor të navigimit, GPS ose një sateliti shkencor mund të kenë efekte shkatërruese, kështu që shkencëtarët po shqyrtojnë mundësinë e heqjes së mbetjeve të rrezikshme hapësinore.

"Kjo kërkon planifikimin e një misioni për heqjen e mbetjeve orbitale në hapësirë. Për realizimin e një misioni të këtij lloji nevojitet një teknologji shumë komplekse".
Disa modele janë në shqyrtim, përfshirë përdorimin e një sateliti që mund t’i godasë me rreze mbetjet në lëvizje për të ngadalësuar shpejtësinë e tyre dhe për t’i tërhequr ato në atmosferën e tokës ku ato do të digjeshin.

Objektet më të vogla mund të goditen me lazer nga një bazë tokësore, ndërsa objektet e mëdha që mund të thyhen deri në mijëra copra të vogla mund të ulen me satelitë të veçantë robotikë.

Edhe pse misione të tilla mund të kushtojnë deri në 200 milionë dollarë, zoti Krag thotë se ato duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, për të parandaluar mundësinë e përplasjeve më të mëdha që mund të shkaktojnë fluturimin e mijëra copave të tjera vdekjeprurëse rreth tokës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat