Drejt një tjetër Lufte të Ftohtë?

Bota

Drejt një tjetër Lufte të Ftohtë?

Më: 21 prill 2014 Në ora: 08:18

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë arritur një pikë të ulët që kur Moska aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë. Në këtë materialin në vazhdim, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera analizon mundësinë nëse dy palët janë duke iu rikthyer një Lufte të Ftohtë.
Lufta e Ftohtë zgjati afërsisht që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945 deri në rënien e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Profesori i Universitetit Georgetown Charles Kupchan thotë se Lufta e Ftohtë ishte një rivalitet midis një blloku perëndimor të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe një blloku lindor të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik.

"Ajo bazohej në konkurrencën mes dy ideologjive, sistemit komunist dhe sistemit kapitalist, një sistem autokratik kundrejt një sistemi demokratik. Bazohej gjithashtu mbi rivalitet gjeopolitike tradicionale, për dominim mbi qendrat industriale ushtarake si dhe për ndikim në vendet në zhvillim."

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, kujtimet e Luftës së Ftohtë janë zbehur. Por tani po flitet për një Luftë të Ftohtë të re, që pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga presidentit rus Vladimir Putin.

Gjatë një fjalimi të kohëve të fundit në Bruksel, Presidenti Barack Obama e hodhi poshtë idenë e një tjetër Lufte të Ftohtë.

"Kjo nuk është një Luftë e Ftohtë e re. Në fund të fundit, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk drejton ndonjë bllok kombesh, ose ndonjë ideologji globale."

Presidenti Obama e përshkroi Rusinë si "një fuqi rajonale që po kërcënon disa nga shtetet fqinje, jo si pasojë e forcës, por e dobësisë së saj".

Profesor Kupchan është dakord dhe thotë se Rusia nuk është më siç ishte më parë.

"Gjatë Luftës së Ftohtë, Rusia kishte miliona ushtarë në detyrë. Kishte një flotë të klasit botëror. Kishte shtete nën ndikimin e saj në të gjithë botën. Kjo nuk është Rusia që shohim sot. Tani Rusia ka 750 deri në 800 mijë forca të armatosura. Marina e saj është vetëm një hije e trishtuar e asaj që ishte më parë. Ka shumë më pak aleatë në botë dhe për këtë arsye mendoj se nuk kemi të bëjmë me një rikthim në Luftën e Ftohtë - Rusia nuk i përmbush kushtet për këtë."

Por profesori i Universitetit Columbia, Robert Legvold, mendon ndryshe.

"Besoj se jemi që tani në një Luftë të Ftohtë të re, edhe pse kjo nuk është pikëpamja e shumicës. Mendoj se shumë njerëz nuk besojnë se mund të biem sërish në një diçka aq të madhe, të ndërlikuar dhe të rrezikshme, sidomos që të kishte dhe hijen e mundësisë së një konflikti bërthamor siç ishte në atë periudhë 50 vjeçare."
Zoti Legvold thotë se disa nga karakteristikat thelbësore të marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Perëndimin gjatë asaj periudhe janë të pranishme edhe në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit sot.

"Para së gjithash, ka përfunduar ai koncepti paqartë për anën tjetër, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, për pjesën më të madhe të 20 viteve të fundit, e shihnin Rusinë as si vend mik e as si armik, por si diçka të ndërmjetme. Dhe Rusia e shihte Perëndimin njëlloj, por kjo gjë ka përfunduar. Tani, jo vetëm që palët e konsiderojnë anën tjetër si kundërshtare, por edhe e thonë këtë gjë në fjalimet e udhëheqësve të mëdhenj dhe të ekspertëve në shtyp."

Profesor Legvold thotë se një tjetër shenjë e një Lufte të Ftohtë të re është se, sipas tij, zyrtarët në Uashington dhe Moskë duket të jenë dorëzuar në përpjekjet e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve bashkëpunuese, të cilat përfaqësojnë gjëra të ndryshme për secilën palë.

Shumë ekspertë besojnë se një partneritet i vërtetë dhe i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm me udhëheqës të rinj në Uashington dhe Moskë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat