Pranimi në kolegjet amerikane

Bota

Pranimi në kolegjet amerikane

Më: 20 prill 2014 Në ora: 18:24

Kompania që administron një nga dy provimet më të njohura për pranimin në kolegjet amerikane njoftoi kohët e fundit ndryshimet e para të mëdha në testet e saj që nga viti 2005. Ndryshimet e Bordit të Kolegjeve përfshijnë heqjen e asaj pjese të provimit me fjalë që përdoren rallë, si dhe esetë e detyrueshme, dhe shton referenca nga historia e Shteteve të Bashkuara. Korrespondentja Pam Dockins e Zërit të Amerikës shpjegon se sa mund të preken nga këto ndryshime studentët e huaj që kërkojnë të aplikojnë në kolegjet amerikane.
Kur disa studentë nga Nigeria dhe Xhamaika në Universitetin e Howardit këtu në Uashington aplikuan për në kolegj, ata ishin mes gati 100 mijë studentëve të huaj, që i nënshtrohen çdo vit provimit të pranimit SAT.
Ata kanë mendime të ndryshme nëse ndryshimet e reja do të ndihmojnë apo do të dëmtojnë studentët ndërkombëtarë që janë të interesuar për shkollat amerikane.
Peace Umoru mendon se provimi do të jetë më i lehtë:
“ ... po hiqen pjesë nga kërkesat e fjalorit që është një nga sfidat më të mëdha për studentët e huaj.”
Por Shanique Campell ka shqetësime rreth shtimit të pyetjeve për historinë amerikane.
"Kjo besoj se do të jetë e vështirë për studentët e huaj. Ne përballemi me një provim amerikan kështu që ka shumë gjëra për të cilat nuk përgatitesh dot– referencat kulturore të cilat duhet të jemi në gjendje t’i identifikojmë, nuk janë të lehta.”
Sipas Qendrës Kombëtare për Provimin e Drejtë dhe të Hapur, gati 800 nga pothuajse 3 mijë kolegje katër vjeçare në Shtetet e Bashkuara nuk përdorin provimin standart SAT apo atë të ngjashëm.
Duke folur nga Skype, Bob Schaeffer i këtij grupi thotë se kolegjet që përdorin provimin standart i vënë studentët e huaj në disavantazh.
"Studentët nga vende të tjera, veçanërisht ata që nuk janë rritur në vende anglisht-folëse janë në disavantazh të dyfishtë. Provimi është në gjuhë të huaj dhe ata nuk kanë përgatitje paraprake, kështu që është më e vështirë për ta."
Ndryshimet do të fillojnë në vitin 2016 për 1.5 milionë studentë të huaj që japin çdo vit provimin SAT. Në përgjithësi ndryshimet duken të jenë pozitive thotë Eddie West i Shoqatës Kombëtare për Pranimin në Kolegje.
"Mendoj se ndryshimet po i japin provimit në një drejtim pozitiv, pasi ai lidh aftësitë dhe mundësitë që duhet të kenë studentët për të qënë të suksesshëm, jo vetëm për të hyrë në kolegj por edhe më vonë."
Por ai është dakort se referencat për historinë amerikane mund t’i vënë studentët e huaj në disavantazh.
"Do të ishte e pazakontë për një student ndërkombëtar të dijë shumë për Deklaratën e Pavarësisë apo për punën e Martin Luther Kingut, apo diçka tjetër të ngjashme."
West thotë se kolegjet amerikane kanë nevojë t’i njohin mç mirë shkollat e mesme jashtë vendit dhe të marrin një vendim më të mire rreth kritereve të pranimit.
Në kolegjet amerikane studiojnë më shumë se 800,000 studentë të huaj, ose sa rreth 4 përqind e numrit të përgjithshëm të studentëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat