Tërmet i fuqishëm godet Meksikën

Bota

Tërmet i fuqishëm godet Meksikën

Më: 19 prill 2014 Në ora: 08:57

Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Meksiko Sitin, duke lëkundur ndërtesat, duke zgjatur të paktën 30 sekonda dhe duke shkaktuar panik në mbarë qytetin.
Tërmeti me fuqi 7.2 ballë u regjistrua në një thellësi prej 24 kilometrash, raportoi Instituti Gjeologjik amerikan. Ndërsa epiqendra e tij u verifikua në shtetin perëndimor të Gerreros, në afërsi të resortit detar të Akapulkos.

Deri tani nuk ka pasur raportime për viktima apo dëme të mëdha materiale, por banorët e trembur braktisën shtëpitë e tyre menjëherë sapo lëkundja filloi.

Ajo u ndje në disa zona jugore dhe perëndimore të Meksikës. Disa mure u shembën, xhamat e dritareve u thyen ndërsa pemët u rrëzuan në shtetin e Gerreros. Ndërsa në Akapulko, shumë turistë që po shijonin Pashkët u përfshinë nga paniku, transmeton TCH.

Meksika shtrihet mbi tre pllaka kontinentale dhe goditet shpesh herë nga tërmetet. Në vitin 1985 të paktën 10 mijë persona humbën jetën në Meksiko Siti si pasojë e një tërmeti 8.1 ballë.

Lëkundja e fundit ishte më e fuqishme se ato të tjera të verifikuar së fundmi, duke bërë që banorët e kryeqytetit të dilnin në rrugë dhe të ngurronin të ktheheshin nëpër shtëpi kur lëkundja kishte përfunduar aktivitetin.

Ndërkohë, në qytetin e Pueblas, në rrethinat e kryeqytetit meksikan, një spital u evakuua pjesërisht nga frika e shembjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat