Pentagoni ofron ndihma të reja për Ukrainën

Bota

Pentagoni ofron ndihma të reja për Ukrainën

Më: 18 prill 2014 Në ora: 00:57

Ndërkohë që diplomatët në Gjenevë punojnë për të qetësuar tensionet lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t’i japin ndihma të tjera jovdekjeprurëse Kievit. Ky veprim sinjalizon mbështetje për këtë vend në ballafaqimin e tij me Rusinë, por nuk ofron ndihma me armë amerikane. Shefi i mbrojtjes amerikane u zotua se do të ketë ndihma të reja nga NATO-ja:
Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se është një moment kritik për NATO-n, duke shprehur shqetësime për ato që i cilësoi si “veprime të vazhdueshme destabilizuese të Rusisë” në Ukrainën lindore:

"Veprimet e rusëve gjatë dy muajve të fundit nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe në dhunim të integritetit territorial e sovranitetit të një vendi sovran, por janë të papërgjegjshme në një masë të rrezikshme”.

Pas një takimi me ministrin polak të mbrojtjes në Pentagon, zoti Hagel tha se agresioni rus ka forcuar vendosmërinë amerikane për të fuqizuar NATO-n dhe se strategët amerikanë po punojnë për të ndihmuar në modernizimin e planeve të mbrojtjes së Aleacës.

Zoti Hagel tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mënyra të tjera për të mbështetur aleatët në Evropën qendrore dhe lindore.

"Këto masa nuk kanë për synim të provokojnë apo kërcënojnë Rusinë, por ato dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s ndaj mbrojtjes kolektive”.

Deri tani Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 12 avionë të tjerë luftarakë të tipit F16 për të forcuar një njësi luftarake në Poloni. Ka gjasa që këta avionë të qëndrojnë atje deri në fund të këtij viti.

Zoti Hagel njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Ukrainës ndihma të tjera ushtarake jo-vdekjeprurëse, përfshirë furnizime mjekësore, helmeta, shtretër dhe pajisje për pastrimin e ujit. Pavarësisht nga kërkesat për ndihmë ushtarake, administrata Obama deri tani ka mbështetur Ukrainën me ndihma financiare, ndërkohë që vazhdon presionin diplomatik kundër Rusisë.

NATO-ja po forcon praninë e saj në rajon, pasi njoftoi dje se do të dërgojë një kontigjent me anije për pastrim minash në Detin e Zi.
Polonia, anëtare e NATO-s, shqetësohet nga veprimet e Rusisë dhe ka zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara për modernizimin e ushtrisë së saj. Ministri polak i Mbrojtjes Tomasz Siemoniak thotë se ato që ka mësuar ishin inkurajuese:

"Duam që Polonia të jetë sa më pranë Perëndimit që të jetë e mundur, të vazhdojë bashkpunimin me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk ka mënyrë tjetër për të garantuar sigurinë tonë”.

Megjithëse shprehu optimizëm se bisedimet do të ndihmojnë për uljen e tensioneve, Sekretari Hagel nuk pranoi të përjashtonte mundësinë se Rusia mund të ketë pretendime të tjera për territor dhe influencë. “Bazuar në përvojën e deritanishme, tha ai, duhet të shqyrtojmë çdo skenar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat