OKB, KS njihet me fotot brutale nga Siria (FOTO)

Bota

OKB, KS njihet me fotot brutale nga Siria (FOTO)

Më: 16 prill 2014 Në ora: 23:26

Anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së iu treguan foto të realizuara në Siri, dëshmi e torturave brutale, ku përfshiheshin mbytja, lënia pa ushqim, apo dhe nxjerrja e syve, të gjitha të kryera nga forca të regjimit.

Takimi jo-formal i KS-së në OKB u organizua nga Franca, për t’i dhënë organit 15 anëtarësh mundësinë të shikonte disa nga 55 mijë fotografitë e realizuara prej një ish-anëtari të policisë ushtarake siriane.

Ambasadori francez në OKB, Gerard Araud, këmbënguli në rëndësinë e madhe që kishte, sipas tij, t’i tregoheshin Këshillit imazhet e tmerrshme, ndërkohë që Parisi zyrtar është duke përgatitur një rezolutë, e cila do ta referojë konfliktin sirian në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, për padi të mundshme për krime lufte.

“Nuk është xhest politik. Nuk po përpiqemi të promovojmë kauzën e askujt këtu. E dimë se Këshilli i Sigurimit është i përçarë dhe se është praktikisht e pamundur të merret një vendim prej tij. Por, shpresojmë shumë që në këtë mënyrë t’i jepet zë jo politikës, por ndërgjegjes njerëzore”, u shpreh Gerard Araud, ambasador i Francës në OKB.

Sipas ambasadorit Araud, në sallë mbizotëroi heshtja, pasi filluan të shfaqeshin imazhet siriane. Rreth 60 vende kanë kërkuar që situata në Siri t’i referohet gjykatës në Hagë. Por, varet nga një shumicë e Këshillit të Sigurimit për të vendosur mbi këtë çështje.

Një ekip i ekspertëve mjeko-ligjorë ka studiuar 55 mijë imazhet e kontrabanduara jashtë Sirisë nga ish-fotografi ushtarak, i identifikuar me pseudonimin “Çezari”. Ndërsa fotot duket se ofrojnë dëshmi të krimeve të luftës të kryera nga qeveria siriane, zyrtarët thonë se krime të njëjta janë kryer edhe nga forcat opozitare, edhe pse veprimet e tyre nuk janë të dokumentuara nga “Çezari”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat