L. e Mesme, shtyhet takimi Izrael-Palestinë

Bota

L. e Mesme, shtyhet takimi Izrael-Palestinë

Më: 16 prill 2014 Në ora: 22:30

Një takim mes negociatorëve palestinezë dhe izraelitë të paqes është shtyrë pas vrasjes së një palestinezi në Bregun Perëndimor.

Një zëdhënës i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas deklaroi se seanca është shtyrë për të enjten. Autoritetet izraelite refuzuan të jepnin një arsye për shtyrjen, por vrasja e një polici që nuk ishte në detyrë të hënën ka shkaktuar irritim.

Shtetet e Bashkuara janë përpjekur shumë që të bindin të dyja palët që të zgjasin procesin e bisedimeve direkte përtej afatit të 29 prillit.

Negociatorët, të cilët rifilluan takimet në korrik, pas tre vitesh ndërprerje, shkuan në prag të dështimit kur të dyja palët ndërmorën ato që Uashingtoni i quajti “hapa të padobishëm”.

Palestinezët pranuan aplikimet për t’u bashkuar me 15 traktate dhe konventa të OKB-së, ndërsa Izraeli refuzoi të lironte grupin e katërt të 26 të burgosurve palestinezë dhe rishpalli tenderat për ndërtimin e mbi 700 mijë shtëpive të reja në zonën e pushtuar në Jeruzalemit lindor.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për negociatat, Martin Indyk, janë përpjekur të bindin të dyja palët për të pranuar një marrëveshje paraprake për çështjet kryesore, që do të mundësonte vazhdimin e negociatave.

“Aktualisht palët po punojnë për të rënë dakord për zgjatjen e negociatave përtej 29 prillit”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat