BE, tjetër ndihmë Ukrainës

Bota

BE, tjetër ndihmë Ukrainës

Më: 16 prill 2014 Në ora: 00:22

Këshilli i BE-së vendosi t’i vijë në ndihmë Ukrainës me 1 miliard euro të tjera (1,6 gjithsej) për t’i mundësuar buxhetit të shtetit shlyerjen e pagesave urgjente, stabilitet ekonomik dhe reformë strukturore në vend.

Të mbledhur në Luksemburg, 28 ministrat e Mbrojtjes diskutuan gjatë drekës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, mbi efektet e krizës në Ukrainë.

“I bëj thirrje Rusisë për uljen e tensioneve, të tërheqë trupat nga kufiri i Ukrainës, të ndalojë destabilizimin e situatës në Ukrainë dhe të bëjë të qartë se nuk mbështet veprimet e dhunshme të separatistëve pro-rusë. Rusia duhet të ndalojë të qenurit pjesë e problemit, e të fillojë që të jetë pjesë e zgjidhjes”, deklaroi Anders Fogh Rassmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

“Ne presim me padurim takimin e Gjenevës, të enjten, ku unë do të përfaqësoj Bashkimin Europian. Kemi qenë në kontakt me ministrin e Jashtëm Lavrov, para pak ditësh, për të folur rreth këtij takimi, sikundër dhe me SHBA-të dhe Ukrainën. Qëllimi i këtij takimi është për të ulur tensionet e për të qetësuar situatën në Ukrainë, por dhe se si të sigurojmë që ky shtet sovran të ecë përpara, në interes të gjithë popullit të vet”, tha Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së.

Konkluzionet e BE-së i bëjnë thirrje Rusisë, jo vetëm për tërheqjen e menjëhershme të trupave nga kufiri, por dhe për të dhënë dorëheqje nga Këshilli i Federatës, që të mos përdorë forcë në tokën ukrainase.

Ndërkohë që, ngrin pasuria e katër personave të tjerë, të gjykuar si përgjegjës për shpërdorimin e fondeve shtetërore ukrainase, të cilët iu shtuan listës së sanksioneve të BE-së, që zbatohet edhe nga Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat