Militantët pro-rusë zgjerojnë kontrollin në Ukrainën lindore

Bota

Militantët pro-rusë zgjerojnë kontrollin në Ukrainën lindore

Më: 12 prill 2014 Në ora: 17:42

Militantë pro-rusë kanë zgjeruar kontrollin e tyre ndaj ndërtesave publike në Ukrainën lindore. Ministria e brendshme ukrainase thotë se persona të armatosur kanë marrë një stacion policie në rajonin Slovyansk.
Duke konfirmuar marrjen e ndërtesës së forcave të rendit në Slovyansk, ministri i Brendshëm Arsen Avakov tha se një grup tjetër njerëzish të armatosur nuk arriti të vinte nën kontroll zyrën e një prokurori sot, gjatë një bastisjeje para agimit në Donetsk. Në këtë qytet persona të armatosur kanë tashmë kontroll disa ndërtesa të tjera qeveritare.

Sulmet e fundit ndaj ndërtesave publike vijnë një ditë pasi kryeministri i përkohshëm i Ukrainës ofroi falje të udhëheqësve rajonalë dhe protestuesve pro-rusë, pas mbarimit të afatit të Kievit brenda të cilit kërkohej që separatistët të lironin ndërtesat shtetërore që kanë bllokuar.

Pas një takimi dje me qeverinë dhe drejtuesit publikë të Ukrainës, kryeministri Arseniy Yatsenyuk tha se ai mbështet ndryshimin e kushtetutës së Ukrainës dhe ndryshimin e ligjeve për të lejuar guvernatorët rajonalë të kenë autoritet mbi çështjet e zonave të tyre.

"Qëllimi kryesor është t’i përgjigjemi dëshirës së njerëzve për të pasur më shumë pushtet rajonal. Ne do ta zbatojmë këtë angazhim në kuadrin e reformave konstruktive," tha kryeministri Yatsenyuk.

Zoti Yatsenyuk tha se qeveria është e angazhuar në bisedime me udhëheqësit dhe figurat e shquara të rajoneve lindore. Nuk është e qartë nëse lëshimet e propozuara prej tij do të kënaqin militantët në Donetsk, Luhansk dhe qytete të tjera të Ukrainës lindore, të cilët kërkojnë që Kievi të lejojë mbajtjen e një referendumi mbi pavarësinë.

"Ne do të qëndrojmë këtu deri në fund. Fëmijët tanë janë duke punuar në miniera, por kur të fillojnë operacionet e qeverisë për të na larguar, ata të gjithë do të vijnë këtu. Ne do të qëndrojmë, dhe nëse duan të na vrasin, le të na vrasin," u shpreh një protestuese.

"Ne jemi këtu për federalizimin. Ne duam që rajoni ynë të ketë të drejta ekonomike dhe politike më të mëdha," tha një tjetër protestuese.

Qeveria ka ofruar amnisti për ata që dorëzojnë armët dhe largohen nga ndërtesat. Por deri tani, nuk ka pasur asnjë konfirmim që dikush të ketë pranuar marrëveshjen për të shmangur ndjekjen penale. Afati pas të cilit Ukraina do të përdorte forcën për të larguar militantët përfundoi dje, por qeveria nuk ndërmori ndonjë veprim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat