Ukraina ofron amnisti për demonstruesit pro-rusë

Bota

Ukraina ofron amnisti për demonstruesit pro-rusë

Më: 10 prill 2014 Në ora: 22:03

Presidenti në detyrë i Ukrainës, Oleksandr Turchynov po premton amnisti për demonstruesit pro-Rusë, nëse ata heqin dorë nga armët dhe largohen nga godinat qeveritare nën rrethim në dy qytete lindore. Njoftimi i Torchynov vjen një ditë para një afati që ka vendosur Ukraina për tërheqjen e demonstruesve përmes negociatave ose përmes forcës, në Luhansk dhe Donetsk pranë kufirit me Rusinë.
Separatistët pro-Rusisë që janë strehuar në godinën shtetërore të sigurisë në qytetin e Luhanskit thonë se qeveria ukrainase po përpiqet që të dobësojë përpjekjet e tyre për të bërë një referendum për pavarësinë nga Kievi. Protestuesit kanë pasur bisedime me zyrtarë të Ukrainës për zbutjen e tensioneve, dhe këto bisedime po ndiqen me kujdes nga Uashingtoni.

Diplomatja amerikane Victoria Nuland i tha një komisioni të Kongresit amerikan dje, se kishte të dhëna për përfshirje ruse në marrjen nën kontroll të ndërtesave dhe paralajmëroi për pasoja nëse “veprimet e tyre agresive” nuk marrin përgjigje. Nuland u tha gjithashtu ligjvënësve se diplomatët amerikanë nuk kanë shpresa të mëdha për bisedimet e javës së ardhshme me diplomatë të lartë nga Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ndërkohë, Ministria e Jashtme ruse u përpoq përsëri që të mos i jepte shumë rëndësi grumbullimit të trupave, duke thënë se forcat ruse nuk kanë ndërmarrë ndonjë aktivitet të pazakontë në rajonet e kufirit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat