NATO: Ndërhyrjet e mëtejshme të Rusisë në Ukrainë janë një gabim historik

Bota

NATO: Ndërhyrjet e mëtejshme të Rusisë në Ukrainë janë një gabim historik

Më: 8 prill 2014 Në ora: 18:42

NATO ka paralajmëruar Rusinë se çdo ndërhyrje e mëtejshme në Ukrainë do të ishte një gabim historik me pasoja të rënda.

Sipas BBC, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se Moska duhet të tërheqë trupat që ka stacionuar në kufi me Ukrainën.

“I bëj thirrje Rusisë që të tërhiqet dhe të mos e përshkallëzojë situatën në Ukrainën lindore. Nëse Rusia ndërhyn më tej në Ukrainë, do jetë një gabim historik. Do ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona me Rusinë dhe do e izolojë më shumë Rusinë ndërkombëtarisht,” tha Rasmussen.

Më herët ishte SHBA që shprehu shqetësim të madh në lidhje me tensionet në rritje në lindje të Ukrainës, pasi demonstruesit pro- rusë pushtuan godinat qeveritare në tre qytete.

Sipas BBC, Sekretari i Shtetit, John Kerry i tha homologut rus, Sergei Lavrov në një telefonatë se çdo përpjekje e Rusisë për destabilizim do të ketë pasoja.

Ata diskutuan po ashtu për mundësinë e bisedimeve direkte brenda dhjetë ditëve të ardhshme.

Ukraina nga ana e saj do të dërgojë zyrtarët e sigurisë në Donetsk, Luhansk dhe Kharkiv.

Rebelët kanë pushtuar godinën e parlamentit rajonal në Donetsk dhe kanë shpallur ‘republikën e popullit’ të hënën, duke bërë thirrje për referendum për ndarjen nga Ukraina më 11 maj.

Rusia së fundmi aneksoi gadishullin e Krimesë në Ukrainë, në një referendum, të cilin Perëndimi e cilëson si të paligjshëm.

Moska nga ana e saj ka stacionuar mijëra trupa në kufi me Ukrainën dhe deklaron se nuk i njeh autoritetet e reja që kanë marrë pushtetin në Kiev.

Korrespondenti i BBC në Donetsk thotë se ndryshe nga tre javë më parë, tani godinat qeveritare nuk ruhen më me policë.

Ai shton se protestuesit kanë pushtuar godinat lehtësisht, edhe pse janë të paktë në numër.

“Por kur je pak, mund të arrish gjëra të mëdha kur ka vakum pushteti. Dhe deri më tani, autoritetet pro- Kievit në Donetsk nuk duken se kanë aftësinë për të rikthyer rendin”, shprehet ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat