SHBA i kërkon Rusisë të ndalë nxitjen e tensioneve në Ukrainë

Bota

SHBA i kërkon Rusisë të ndalë nxitjen e tensioneve në Ukrainë

Më: 8 prill 2014 Në ora: 11:04

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Rusisë të ndalë ndërhyrjen në Ukrainën lindore, duke e kërcënuar me sanksione të reja nëse Moska nuk vazhdon përpjekjet për destabilizimin e Ukrainës. Sekretari i Shtetit John Kerry po zhvillon bisedime me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Dje ata folën me telefon, dhe zoti Kerry tha se ai është duke i ndjekur me "shqetësim të madh" ngjarjet në Ukrainë.

Paralajmërimi nga Shtëpia e Bardhë erdhi pasi grupe të protestuesve pro – rusë pushtuan ndërtesat qeveritare në të paktën tri qytete në Ukrainën lindore gjatë disa ditëve të fundit.

Në një konferencë të rregullt për shtyp dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se pushtimi i ndërtesave është rezultat i rritjes së presionit rus në Ukrainë. Ai paralajmëroi Moskën kundër ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme.

"Nëse Rusia lëviz në Ukrainën lindore, qoftë haptazi apo fshehurazi, kjo do të përbënte një përshkallëzim shumë serioz. Ne i bëjmë thirrje Presidentit Putin dhe qeverisë së tij që të ndalin të gjitha përpjekjet për të destabilizuar Ukrainën dhe ne i paralajmërojmë ata kundër çdo ndërhyrjeje tjetër ushtarake".

Zëdhënësi Carney tha se ka prova të forta se disa nga protestuesit pro rusë ishin njerëz të paguar e jo banorë lokalë.

Demonstruesit pro-rusë në qytetin lindor të Ukrainës, Donetsk shpallën një republikë më vete, njoftuan organizimin e një referendumi për ndarje, dhe i bënë thirrje Rusisë të dërgojë trupa paqeruajtëse.

Këto lëvizje i ngjajnë ngjarjeve që i paraprinë aneksimit të rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia muajin e kaluar, dhe zyrtarët amerikanë kanë frikë se kjo mund të përsëritet.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për shtimin e sanksioneve.

"Të gjitha këto ngjarje janë shqetësuse për ne dhe ne e kemi bërë shumë të qartë se do të ketë pasoja të mëtejshme nëse Rusia ndërmerrë masa të tjera që shkelin integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës".

Këto pasoja mund të jenë sanksionet më të gjera kundër sektorëve të tërë të ekonomisë ruse, duke përfshirë eksportet e armëve dhe sistemin bankar, në bazë të urdhërit ekzekutiv të Presidenti Obama të shpallur në muajin e kaluar.

Zyrtarët amerikanë thonë se ata nuk kanë parë asnjë provë se Rusia është duke tërhequr trupat e saj nga kufiri ukrainas.

Uashingtoni thotë se veprimet ushtarake nuk janë në qendër të diskutimeve në këtë pikë dhe se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuar për t’i dhënë ndihmë jo-ushtarake Ukrainës.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes konfirmuan se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një anije në Detin e Zi në një përpjekje për të siguruar aleatët e tyre në rajon.

Ndërkohë Sekretari i Shtetit John Kerry po zhvillon bisedime me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Dje ata folën me telefon, dhe zoti Kerry tha se ai është duke i ndjekur me "shqetësim të madh" ngjarjet në Ukrainë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat