Për 100 ditë masakër, 800 mijë njerëz u masakruan

Bota

Për 100 ditë masakër, 800 mijë njerëz u masakruan

Më: 7 prill 2014 Në ora: 18:37

Vetëm brenda 100 ditësh në vitin 1994, rreth 800 mijë njerëz u masakruan në Ruanda nga ekstremistët etnikë Hutu.

Shënjestra e tyre ishte minoriteti Tutsi, por edhe kundërshtarët e tyre politikë, pavarësisht nga origjina etnike.


Një masakër që tronditi botën.


20 vjet më pas, BBC sqaron konfliktin.


 


Përse milicia Hutu donte të vriste Tutsit?


Rreth 85 përqind e banorëve në Ruandë janë Hutu, por minoriteti Tutsi e ka dominuar prej shumë kohësh vendin. Në vitin 1959, Hutut hodhën poshtë monarkinë Tutsi dhe dhjetëra- mijëra Tutsi u arratisën për në vendet fqinje, përfshi këtu Ugandën. Një grup me Tutsi formuan një grupim rebel në mërgim, të quajtur RPF, dhe pushtuan Ruandën në vitin 1990. Luftimet vazhduan deri në vitin 1993, kur u nënshkrua një marrëveshje paqeje.


Natën e 6 prillit 1994, një avion që kishte brenda presidentin Juvenal Habyarimana dhe homologun e tij, Cyprien Ntaryamira nga Burundi, të dy Hutu, u qëllua duke lënë të vdekur këdo në bord. Ekstremistët Hutu fajësuan grupimin rebel Tutsi për këtë krim dhe menjëherë nisën një fushatë të mirëorganizuar masakre. RPF tha se avioni u rrëzua nga Hutut si një justifikim për gjenocidin.


 


Kush e bëri gjenocidin?


Me një organizim të përpiktë. Listat me kundërshtarët i dorëzoheshin milicisë, ata shkonin dhe bënin vrasjet, duke i ekzekutuar ata bashkë me familjet. Fqinjët vrisnin fqinjët dhe disa burra madje vranë gratë e tyre Tutsi, duke thënë se do i vrisnin nëse refuzonin. Në atë kohë, në kartat e identitetit ishte shënuar edhe etnia. Kështu që milicia ngriti postblloqe ku u masakruan Tutsit, shpesh me thika machete. Mijëra gra Tutsi u mbajtën peng si skllave seksi.


 


A u përpoq kush që të ndërhynte?


OKB dhe Belgjika kishin forca në Ruanda, por misioni i OKB nuk kishte një mandat për të ndaluar masakrën. Një vit pasi trupat amerikane ishin vrarë në Somali, SHBA ishte e vendosur për të mos ndërhyrë në një tjetër konflikt afrikan. Belgët dhe shumë nga paqeruajtësit e OKB u tërhoqën pasi u vranë 10 ushtarë belgë. Francezët, që ishin aleatë të qeverisë Hutu, dërguan trupa për të ngritur një zonë të sigurtë, por u akuzuan se nuk kanë bërë aq sa duhet për të ndalur masakrën në atë zonë. Presidenti aktual i Ruandës ka akuzuar Francën se ka marrë pjesë në masakër, një akuzë e mohuar nga Parisi.


 


Përse ishte kaq barbare?


Ruanda ka qenë gjithmonjë shoqëri e kontrolluar fort, e organizuar në formën e një piramide me struktura të mbikëqyrura nga qeveria. Partia në pushtet në atë kohë, MRND, kishte ngritur një grup rinor, të quajtur Interahamwe, që u kthye në një milici, e cila kreu vrasjet. Armët dhe listat me emrat e armiqve iu dorëzoheshin këtyre grupeve lokale, që më pas e dinin se ku ishte objektivi.


Ekstremistët Hutu ngritën radio- stacione dhe gazeta, që transmetonin propagandë urrejtje, duke u bërë thirrje njerëzve që të “shtypnin buburrecat”, duke nënkuptuar vrasjen e Tutsis. Emrat e atyre që duhej të vriteshin, lexoheshin në radio. Madje edhe priftërinjtë dhe murgesht janë dënuar për vrasjen e njerëzve, edhe të atyre që kërkonin strehë në kisha.


 


Si përfundoi?


RPF, e mirëorganizuar, e mbështetur nga ushtria e Ugandës, arriti gradualisht që të fitojë territor, deri më 4 korrik, kur trupat hynë në kryeqytetin Kigali. Rreth 2 milionë Hutu, përfshi civilë dhe ata që u përfshinë në gjenocid, u arratisën në Zaire (Republika Demokratike e Kongos), duke pasur frikë nga hakmarrja.


Grupet e të drejtave të njeriut thotë se RPF vrau mijëra civilë Hutu kur mori pushtetin dhe i përndoqi ata edhe jashtë vendit në Kongo. RPF e ka mohuar këtë. Mijëra Hutu vdiqën në Kongo nga kolera.


 


Çfarë ndodhi në Kongo?


Gjenocidi në Ruanda ka ndikuar në dy dekada me trazira në Kongo, që i kanë kushtuar jetën më shumë se 5 milionë njerëzve. Qeveria e Ruandës, e drejtuar tani nga RPF, e ka pushtuar dy herë Kongon, duke e akuzuar se i lejon milicët Hutu që të operojnë brenda territorit të saj. Ruanda po ashtu ka armatosur fiset Tutsi në Kongo. Në përgjigje të kësaj, disa vendas kanë ngritur grupe vetëmbrojtëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat