Kërkimet për avionin malajzian, po i afrohen fundit

Bota

Kërkimet për avionin malajzian, po i afrohen fundit

Më: 6 prill 2014 Në ora: 14:22

Janë orët e fundit para se bateritë e kutive të zeza të avionit të Malasia Airlines të zhdukur që në 8 Mars të shkarkohen plotësisht. Gjetja e tyre do të ndihmonte në zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të avionit, siç besojnë autoritetet malejziane bazuar në hetimet e një agjencie të specializuar britanike. Kërkimet janë përqëndruar në jug të Oqanit Indian ku anijet kineze bënë të ditur se kishin pikasur sinjale të ngjashme me ato të kutive zeza. Janë ekipet australiane që kanë nisur misionin për verifikimin e këtyre sinjaleve dhe gjetjen e kutive të zeza të avionit të “Malasia Airlines”.

Dhjetëra avionë ushtarakë dhe 13 anije ndodhen aktualisht në një mision kërkimor në 3 zona të ndryshme detare në një largësi prej 2 mijë kilometrash në veri-perëndim të Përthit. Anijet britanike po kryejnë kërkime përmes teknologjisë HMS Echo, që është në gjendje të përthithë sinjalet e lëshuara nga pajisjet që ndodhen nën ujë.

Ekspertët japin shpresë për gjetjen e kutive të zeza, por kryeministri australian Toni Abot tha më herët se nuk është e sigurt që sinjalet e kapura, që dyshohet të jenë të kutive të zeza, t’i përkasin avionit të zhdukur të “Malasia Airlines”. Ekipet kërkimore janë në garë me kohën, pasi bateritë e kutive të zeza shkarkohen plotësisht 30 ditë pas rënies së avionit.

Pak javë më parë, kryeministri malajzjan në një konferencë për shtyp, tha se shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë Zero , megjithëse ende nuk është gjendur asnjë mbetje prej tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat