Fluturimi 370, sinjale nga “kutia e zezë”?

Bota

Fluturimi 370, sinjale nga “kutia e zezë”?

Më: 6 prill 2014 Në ora: 09:41

Ekipet e kërkimit të aktivizuara për fluturimin 370 të “Malaysia Airlines” po hetojnë mbi një numër sinjalesh të kapura nga anijet në pjesën jugore të Oqeanit Indian, kanë bërë të ditur autoritetet, por ende nuk është e qartë nëse ndonjëra prej tyre vjen nga e ashtuquajtura “kuti e zezë” e aeroplanit të zhdukur.
Një anije e Marinës Mbretërore britanike po lundron drejt një zone, ku një anije kineze raportoi se kishte kapur dy herë sinjale elektronike, fillimisht të premten dhe më pas të shtunën, tha Angus Houston, kreu i agjencisë australiane për koordinimin e operacioneve të kërkimit.
Ndërkohë, një anije e Marinës australiane në ujrat e Oqeanit, e cila është e pajisur me mjete tepër të sofistikuara, po ndjek “një zhurmë akustike”, që është kapur në një tjetër zonë, tha Houston gjatë një konference për shtyp.
Ai shtoi se kapja e sinjaleve është “një shtysë e rëndësishme dhe inkurajuese”, por paralajmëroi se këto të dhëna duhen trajtuar “me kujdes”, pasi ende nuk janë verifikuar që u përkasin fluturimit 370.
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dëshpërimisht për ndonjë të dhënë në lidhje me vendndodhjen e avionit, që u zhduk afro një muaj më parë me 239 persona në bord. Rreth 10 aeroplanë ushtarakë, dy avionë civilë dhe 13 anije do të asistojnë në kërkimet e së dielës për avionin.
Avionët e Autoritetit australian të Sigurisë Detare (AMSA) kanë planifikuar të kërkojnë 3 zona të ndryshme të dielën, rreth 2000 kilometra (1240 milje detare) në veri-perëndim të qytetit australian të Perth-it. Bëhet fjalë për rreth 216 mijë kilometra katrorë, apo 83 mijë milje katrorë. /

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat