Rrethimi i tmerrshëm i Sarajevës, vitet kur vdekja natyrore ishte një luks

Bota

Rrethimi i tmerrshëm i Sarajevës, vitet kur vdekja natyrore ishte një luks

Më: 6 prill 2014 Në ora: 08:45

Ka pasur luftëra më të këqija e me më shumë viktima, por në historinë moderne Sarajeva ishte qyteti nën rrethimin më të gjatë, që ka zgjatur tri vite e dhjetë muaj, apo 46 muaj, apo 1,425 ditë, apo 34,200 orë, apo 2,052,000 minuta, apo 123 miliardë e 120 milionë sekonda. Lexojeni rrëfimin për tmerrin që kanë përjetuar gjatë këtyre viteve banorët e Sarajevës.

Rrethimi i Sarajevës zyrtarisht filloi më 6 prill 1992. Me pak fat, kjo do të mund të ishte ditë e bukur, sepse pikërisht atëherë shënohej 47-vjetori i çlirimit nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të keq, nga festimi nuk kishte gjë. Derisa qytetarët merrnin veten nga tronditja e një dite të mëparshme - kur në demonstratat paqësore kundër luftës, në urën Vrbanja vriten studentja e medicinës Suada Dilberovic, dhe nëpunësja e Kuvendit republikan Olga Sucic - granatohet pjesa e vjetër e qytetit, kështu që Kryesia e Bosnje dhe Hercegovinës shpall gjendje të jashtëzakonshme në Sarajevë. Në të njëjtën ditë Bashkimi Evropian njohu pavarësinë e vendit.

Ushtria Popullore e Jugosllavisë (APJ), e mbështetur nga forcat paramilitare të serbëve rebelë, me 18 mijë rezervistë mbyllën qarkun rreth qytetit, në diametër prej rreth 60 kilometrave. Përreth janë vendosur 250 tanke, 120 mortaja-hedhës dhe shumë topa e snajperë. Nga këto pozicione, agresori çdo ditë gjuante mesatarisht 329 projektilë, ndërsa më 22 korrik madje 3,777 të tillë.

Gjatë gjithë rrethimit qyteti ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e shtetit: nuk kishte armë për mbrojtje, ujë, ushqim, rrymë, gaz, ilaçe... Gjithçka që kishin ishin plumbat, granatat dhe viktimat e përditshme.

Frigoriferë u bënë strehimore për fëmijët; orenditë - material për ndezje ose për arkivole; gypat e ujit janë shndërruar në pushkë; garazhet u bënë strehimore, ndërsa veturat mure antisnejper; këpucët, qilimat, librat, fotografitë dhe veshjet e vjetra - material për ngrohje... Fëmijët nuk kishin më lojërat e vjetra, por lojën e “ndarjes së ndihmave humanitare” apo njohja e kalibrave dhe llojeve të granatës. Ndërsa, në vend të turistëve lëviznin ushtarët e OKB-së dhe gazetarët e huaj.

Sipas të dhënave të Qendrës së Kërkimit dhe Dokumentimit (IDC), gjatë rrethimit të Sarajevës u vranë 14,011 njerëz, nga të cilët 7,808 në vitin e parë të luftës, 3,392 në vitin e ardhshëm - mes të cilëve 1,601 fëmijë. Pjesërisht apo rëndë të plagosur ishin 50 mijë banorë. Në spitalin kryesor të qytetit në ditë janë dërguar 15 të lënduar nga snajperi. Vetëm në dy klinika - Traumatologji dhe Ortopedi - gjatë rrethimit janë pranuar 47,776 të plagosur. Vrasjet ishin bërë aq të zakonshme sa që çdo vdekje e natyrshme është përjetuar si luks, shkruan Snjezana Mulic-Softic për Al Jazeera, transmeton Telegrafi.

Pasi rezervat e ushqimit u harxhuan në muajt e parë, popullsia ishte tërë kohën e uritur, kështu që lindi tregu i zi në të cilin një litër vaj kushtonte 30 marka gjermane; një kilogram sheqer - 80; një kilogram miell - 15. Kombet e Bashkuara para fillimit zyrtar të rrethimit hapën transportin ajror të ndihmave humanitare. Edhe pse në aeroportin e Sarajevës u ulën mijëra aeroplanë me 31,448,000 kilogramë ushqime bazike, me kamionë janë shpërndarë 168,432,000 kilogramë ushqime, ndërsa Velepekara e Sarajevës prodhonte 126 milionë copë bukë në ditë, ndërsa çdo sarajevas kishte në dispozicion vetëm 159 gramë në ditë.

Pasi nuk funksiononte ngrohja qendrore, furrat janë bërë nga kovat e vajit nga ndihmat humanitare, nga lavatriçet e vjetra apo nga tenxheret me presion. Në borën e parë të gjithë mbetën pa drunj për dimër, e pastaj edhe qyteti pa pemë, kështu që prifti i Sarajevës, Ljubo Lucic, ka shkruar se "fshati Hrastovi (Dushk) ka mbetur pa asnjë dushk, e as zogjtë nuk kanë ku të rrinë”.

Gjatë rrethimit të Sarajevës, më shumë se gjashtë muaj e gjysmë njerëzit ishin në errësirë të plotë, duke shfrytëzuar pak rrjeta agregatesh të shpërndara në institucionet kryesore. Kur nuk kishte as qirinj, u bënë kandilat për të cilët përdorej çdo lloj vaji ose lubrifikanti. Në Miljack u bënë hidrocentralet e para me dorë, ndërsa në shtëpi e banesa rryma prodhohej nga biçikleta.

Agresori shkatërroi gjithçka që kishte në shënjestër, që nga çerdhet e fëmijëve, maternitetet, shkollat dhe bibliotekat, spitalet dhe objektet fetare, ndërtesat e banimit, institucionet publike... Për gati katër vjet u shkatërruan dhjetëra-mijëra ndërtesa, ndërsa vetëm në shtator 1993 u shkatërruan 35,000.

Zjarrfikësit e Sarajevës gjatë rrethimit kishin 8,000 ndërhyrje. Nga këto, 250 zjarre ishin të mëdha, që do të thotë se të njëjtën kohë digjeshin dy apo tri objekte, ndërsa dita më e vështirë ishte më 1992 kur ndalnin zjarrin në 30 objekte.

Edhe në luftë shkohej në shkollë, por ato, si shumë institucione tjera, u zhvendosën në vende më të sigurta, kështu që mësimi mbahej në bodrume, në shtëpi private, strehimore atomike... Në dimër nxënësit kujdestarë duhej të sillnin me vete diçka për ngrohje klase.

Qytetarët ishin plotësisht të paarmatosur se armët vinin pak, ndaj duhej punuar. Pra, u hapën punëtori të improvizuara për prodhimin e armëve, si dhe një qendër ku prodhohej bomba e njohur “bosanka”. Në qytet për mbrojtje janë punuar edhe tromblonët, shishet ndezëse, pushkët dhe ca raketa.

Sarajeva për herë të parë u shpërthye në korrik 1993, kur nën pistën e gërmuar të aeroportit u hap tuneli i shpëtimit (Objekti DB ose Dobrinja-Butmir). I gjatë 760 metra, kjo ishte dalja e vetme nga qyteti i rrethuar. Ai ishte afër të gjithëve: nga agresori 30-50 metra, ndërsa ushtarët e OKB-së ishin sipër. Gjatë dy viteve e gjysmë të punës intensive, në tunel kanë dalë 2-3 mijë njerëz, ndërsa dikush në dalje, në Butmir, kishte vënë shigjetën ku shkruante: Parisi - 3,765 kilometra.

Objekti D-B atë kohë ishte sekreti më i madh shtetëror. Nëpërmjet kësaj vrime miu për herë të parë dolën njësitë që më vonë morën pjesë në zhbllokimin e Sarajevës, ndërsa në qytet u fut rryma, ushqimi, ilaçet...

Në Sarajevë, gjatë luftës, u hapën mbi 100 ekspozita, u dhanë më shumë se 40 premiera teatrale, nisën projektet mediatike dhe gazetat, u mbajt për herë të parë Sarajevo Film Festival, u zgjodh Missi i Sarajevës së Rrethuar...

Rrethimi përfundoi zyrtarisht më 29 shkurt 1996. Muajin e ardhshëm, më 11 mars, një raketë e hedhur nga Grbavica, që ishte nën kontrollin serb, goditi tramvajin ku vrau një grua dhe plagosi 18 të tjerë. Këto ishin viktimat e fundit të rrethimit.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi dënoi tre komandantë serbë për rrethimin: Stanislav Galicin, Dragomir Milosevicin dhe Momcilo Perisicin. Për rrethim po gjykohet edhe Radovan Karadzici - ish-kryetar i Republika Srpskas, si dhe Ratko Mladici - ish-komandat i forcave të RS-së. Nga Sarajeva gjatë luftës kanë ikur mbi 200 mijë banorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat