Arrestohen dy marinarë amerikanë në Okinava

Bota

Arrestohen dy marinarë amerikanë në Okinava

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 21:52

Policia japoneze ka arrestuar dy marinarë amerikanë nën dyshimet për përdhunimin e një gruaje japoneze në ishullin Okinava, duke shtuar edhe më tej tensionet rreth pranisë së trupave amerikane atje.

Tokio thirri ambasadorin amerikan John Roos dhe i paraqiti një protestë zyrtare në lidhje me incidentin, i cili thuhet të ketë ndodhur të martën në ishullin e Okinavës.

Pas takimit me diplomatë të lartë japonez, ambasadori Roos tha se Washingtoni është “thellësisht i shqetësuar” rreth incidentit dhe do të japë mbështetje të plotë dhe të qartë për hetimin e ngjarjes.

“E kuptoj zemërimin që shumë njerëz ndjejnë për këtë incident. Nuk do të isha i sinqertë nëse do të ju thosha se nuk e ndaj me ju këtë zemërim. Pa e paragjykuar këtë situatë konkrete, për ne është shumë e rëndësishme, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, që të punojmë për të fituar besimin e banorëve të Okinavës dhe popullit japonez në tërësi”, tha Roos, transmeton Zëri i Amerikës.

Shumë banorë të Okinavës, bazës kryesore për ushtrinë amerikane në Japoni, janë të zemëruar me Washingtonin pasi një avion i debatueshëm hibrid i tipit Osprey u dislokua në ishull, megjithë disa shqetësime të sigurisë.

Banorët janë ankuar gjithashtu rreth incidenteve të tjera që përfshijnë trupat amerikane. Incidenti më i rëndë ishte në vitin 1995, kur një vajzë japoneze u përdhunua nga tre ushtarë amerikanë, duke çuar në protesta masive nga banorët.

Në këtë ishull tani ka rreth 23 550 trupa amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat