Kirgizi: Qindra persona kërkojnë lirimin e liderëve opozitar

Bota

Kirgizi: Qindra persona kërkojnë lirimin e liderëve opozitar

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 14:41

Qindra protestues u mblodhën në qytetin jugor të Kirgizisë, Jalal-Abad, për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre anëtarëve opozitarë të parlamentit.

Tre liderët e partisë opozitare Ata – Jurt, Kamchybek Tashiev, Sadyr Japarov dhe Talant Mamytov, janë arrestuar për rolin e tyre në protestat e dhunshme të ditës së djeshme në Bishkek, ku u mblodhën rreth 1000 protestues.

Ata po kërkojnë kthimin në pronë shtetërore të minierës më të madhe të arit në Kirgizi.

Lideri i opozitës, Tashiev bëri dje thirrje për rrëzim të qeverisë. Nga ana tjetër, disa protestues kishin arritur që të hynin brenda rrethojave të oborrit të ndërtesës së parlamentit.

Policia kishte përdorur gaz lotësjellës si dhe plumba gome, për të shpërndarë turmën.

Ndërkohë, gjatë protestave të sotme në Jalal-Abad, protestuesit kanë thënë se do të vazhdojnë me këtë ritëm deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat