Talibanët sulmojnë me raketa aeroportin e Kandaharit

Bota

Talibanët sulmojnë me raketa aeroportin e Kandaharit

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 00:50
Foto ilustrim

Aeroporti i Kandaharit, në jug të Afganistanit, ishte në shënjestër të sulmeve me raketa, ndërsa forcat qeveritare afgane po vazhdojnë betejën kundër militantëve talibanë të cilët kanë avancuar drejt tri qyteteve të mëdha.

Talibanët thanë këtë të diel se sulmi në Aeroportin e Kandaharit kishte për qëllim që të ndaleshin sulmet ajrore, teksa ofensiva njëjavore e militantëve po vazhdon në qytetin e dytë më të madh të Afganistanit.

Zyrtarët e aeroportit thanë se sulmi me raketa ka dëmtuar pistën dhe ka ndaluar fluturimet, por ekipet e riparimit tashmë kanë filluar punën, në mënyrë që të rinisin fluturimet.

Aeroporti është thelbësor për mbështetjen logjistike dhe ajrore për Kandaharin. Forcat e sigurisë kombëtare janë të fokusuara në mbajtjen nën kontroll të zonave të populluara teksa militantët talibanë po marrin nën kontroll zonat përreth qyteteve. Talibanët nisën ofensivën e tyre që prej muajit maj kur forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, nisën tërheqjen nga Afganistani.

Sulmi në Aeroportin e Kandaharit vjen në kohën kur militantët talibanë po luftojnë në dhe përreth dy qyteteve të mëdha afgane – Herat në perëndim dhe Lashkar Gah në jug të Afganistanit.

Fati i tri kryeqyteteve provinciale mund të jetë kyç nëse qeveria në Kabul do të mbajë nën kontroll qytetet e mëdha dhe shumicën e territorit të vendit pa ndihmën e trupave ndërkombëtare, të cilat kanë luftuar me talibanët për dy dekada.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat